Telenews

Moskoordinimi për mbylljen e strukturave paralele – si reaguan ambasadat dhe Bashkimi Evropian?

Gjatë një operacioni policor dje, janë mbyllur komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore paralele.

Aksioni për mbylljen e komunave paralele është kryer pa autorizim të Prokurorisë.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë thanë se nuk e kanë autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje dhe se nuk pati ndonjë kërkesë zyrtare për këtë çështje.

Në anë tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se nga dje u mbyll kapitulli i institucioneve paralele.

“Në Banjë e gjithandej në të gjitha pjesët tjera të Republikës së Kosovës objektet komunale, postat, zyrat tatimore dhe të gjitha mbetjet e institucioneve paralele përfundojnë”.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha në orët e pasdites se nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje, meqë nuk pati ndonjë kërkesë zyrtare për këtë çështje.

“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi. Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Prokurorisë.

Derisa, Policia e Kosovës tha përmes një komunikate se qëllimi i operacionit ishte vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe me kërkesën e ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka ndihmuar zyrtarët e kësaj ministrie për ndërprerjen e veprimtarive të jashtëligjshme të këtyre institucioneve.

“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.

Kori diplomatik dënon veprimet e Prishtinës zyrtare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka thënë se veprimet e djeshme të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në disa komuna të Kosovës, ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.

“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë për Express.

Ky zëdhënës i Ambasadës Amerikane tutje ka thënë se këto veprime janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.

“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”, përfundon përgjigja.

Të ngajshme

Ky është shoferi i Gjykatës që u kap me marihuanë e kokainë në Prishtinë

KushtrimGuraj

Koalicioni për Familjen e hap fushatën në Mitrovicë, theksohet rëndësia e përkushtimit për zhvillimin ekonomik

Donat Hashani

Maqedonci në SHBA: Kosova do të ketë helikopterë ‘Black Hawk’

Donat Hashani