Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja sot ka bërë një postim në rrjetet sociale rreth temë së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, transmeton Telenews.al
Muja, fillimisht ka theksuar se në çdo format të tij, ky asociacion do të thoshte instrumentalizim i serbëve në Kosovë. ”Asociacioni, në çdo format të tij, do të thotë territorializim i të drejtave dhe instrumentalizim i serbëve në Kosovë”.
Sipas deputetit mitrovicas, ai është synim i Serbisë, kundër Kosovës dhe avancon ndikimin e shtetit serb në Kosovë. ”Ai është kërkesë dhe synim i Serbisë. Nuk është për serbët e Kosovës. Është kundër Kosovës. Nuk i avancon të drejtat e serbëve. Avancon ndikimin e Serbisë në Kosovë”, shkruan ai.
Krejt në fund, Muja ka thënë se Asociacioni nuk i integron serbët, por i ndan dhe izolon, sipas tij, bashkëjetesa është vlerë perëndimore e jo izolimi, duke aluduar se në izolim po synon të dalë shteti serb.
”Nuk i integron serbët. I ndanë dhe i izolon ata. Bashkëjetesa, jo izolimi, është vlerë perëndimore. Kështu na është thënë në dy dekadat e fundit. Kështu vazhdojmë të besojmë edhe sot”, mbyll postimin Muja.
/Telenews.al/

