Telenews

Musmurati kërkon nga Murati nënshkrimin e marrëveshjes 74 milionë euroshe për menaxhimin e mbeturinave

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati, nënshkrimin e marrëveshjes për projektin mbi 74 milionë eurosh, që synon modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në Prishtinë, raporton EkonomiaOnline.

Në një konferencë për media para Qeverisë së Kosovës, Musmurati ka thënë se kryeqyteti ka nevojë për investime në pajisje dhe infrastrukturë për përmirësimin e shërbimit të pastrimit.

“Sot jemi para Qeverisë së Republikës së Kosovës. Prapa meje po shihni një prej kamionëve të stërvjetruar të kompanisë ‘Pastrimi’, së bashku me punëtorët që çdo ditë kujdesen për pastërtinë e kryeqytetit. Pikërisht këtu, në këtë institucion, duhet të merret vendimi që do të mundësonte një ndryshim rrënjësor në shërbimin e pastrimit të Prishtinës. Prishtina ka nevojë për 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë dhe modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave”, ka deklaruar ajo.

Musmurati ka bërë të ditur se projekti, i zhvilluar në bashkëpunim me bankën gjermane KfË, kap vlerën mbi 74 milionë euro dhe parasheh blerjen e 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve dhe modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave.

“Për këtë ne tashmë e kemi një projekt prej mbi 74 milionë eurosh, të zhvilluar në bashkëpunim me bankën gjermane KfË. Nuk po flasim për një ide, as për një premtim. Po flasim për një projekt konkret, për të cilin është punuar me vite dhe për të cilin vetë Qeveria e Kosovës, më 18 dhjetor 2024, ka dhënë miratimin në parim. Nuk po flasim për një ide, as për një premtim. Po flasim për një projekt konkret, për të cilin është punuar me vite dhe për të cilin vetë Qeveria e Kosovës, më 18 dhjetor 2024, ka dhënë miratimin në parim”, ka thënë Musmurati.

Ajo i ka bërë thirrje ministrit Hekuran Murati që ta nënshkruajë marrëveshjen, duke theksuar se kjo do të ndihmonte zhvillimin e ndërmarrjes “Pastrimi”.

“Kërkoj nga ministri Hekuran Murati që të nënshkruajë marrëveshjen për projektin prej 74 milionë eurosh, për të ndihmuar zhvillimin e ndërmarrjes ‘Pastrimi’, e jo për të kontribuar në falimentimin e saj”, ka deklaruar ajo.

Musmurati ka bërë të ditur se javën e kaluar u janë drejtuar edhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve ua kanë dorëzuar dokumentacionin zyrtar lidhur me projektin, përfshirë vendimin e Qeverisë, dokumentin e KfË-së dhe letrën e përbashkët të palëve të përfshira.

Ajo ka thënë se nga deputetët kanë kërkuar që të kërkojnë llogaridhënie nga ministri për mosnënshkrimin e marrëveshjes.

“Javën e kaluar u jemi drejtuar edhe deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke ua dorëzuar dokumentacionin zyrtar, vendimin e Qeverisë, dokumentin e KfË-së dhe letrën e përbashkët të palëve të përfshira në projekt. Kemi kërkuar nga deputetët që të kërkojnë llogaridhënie nga ministri për mosnënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Ndërkohë, ne si Kryeqytet po vazhdojmë të investojmë, të angazhohemi në terren dhe të punojmë me kapacitetet që kemi në dispozicion”, potencoi ajo .

Ndërkaq, lidhur me gjendjen e ndërmarrjes “Pastrimi”, Musmurati ka thënë se nevojitet edhe mbështetje financiare për të parandaluar falimentimin e saj.

“Bëhet fjalë edhe për të ardhmen e kompanisë ‘Pastrimi’. Kërkojmë nga ministri Hekuran Murati që të ndërmarrë, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, masat e nevojshme për mbështetjen financiare të kësaj kompanie, në mënyrë që të parandalohet falimentimi i saj”, ka theksuar ajo.

Në fund, Musmurati ka përsëritur dy kërkesat e Kryeqytetit: mbështetjen financiare për ndërmarrjen “Pastrimi” dhe nënshkrimin e marrëveshjes për projektin e modernizimit të shërbimit të mbeturinave.

Të ngajshme

Në 23-vjetorin e vrasjes, Abdixhiku kujton Sebahate Tolajn dhe Isuf Haklaj

Rrezarta Ramaj

Arrestohen katër persona për rastin e Arlinda Zekajt

Rrezarta Ramaj

Arrestohet ish-vjehrra e Arlinda Zekajt, dyshohet për shtytje në vrasje

Rrezarta Ramaj
Lajmet po ngarkohen…