Telenews

Nesër Brukseli mbledh liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, cila është agjenda?

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen nesër, më 25 nëntor, në Bruksel, në kuadër të samitit të radhës BE-Ballkani Perëndimor, ku në fokus do të jenë integrimi evropian, reformat dhe bashkëpunimi rajonal.

Në këtë takim, Bashkimin Evropian do ta përfaqësojnë presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Megjithatë, ende nuk dihet se kush do ta përfaqësojë Kosovën në këtë samit. Siç ka raportuar Gazeta Nacionale, deri më tani nuk është bërë publik emri i përfaqësuesit të Kosovës dhe as niveli në të cilin vendi do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.

Në samitin e vitit të kaluar, Kosovën e kishte përfaqësuar Albulena Haxhiu, e cila në atë kohë ushtronte detyrën e presidentes së vendit.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka theksuar rëndësinë strategjike të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, duke ritheksuar se perspektiva e vendeve të rajonit është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian. Anëtarësimi i tyre është prioriteti ynë, ambicia jonë e përbashkët dhe një investim vendimtar gjeopolitik në këto kohë sfiduese”, ka deklaruar Costa.

Sipas agjendës së publikuar nga Këshilli Evropian, në këtë samit do të diskutohet për reformat që duhet të ndërmarrin vendet e rajonit për të avancuar në rrugën drejt BE-së, si dhe për përmbushjen e zotimeve që lidhen me procesin e integrimit.

Një tjetër temë e rëndësishme do të jetë Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit synohet afrimi ekonomik i rajonit me BE-në dhe integrimi gradual në tregun e vetëm evropian.

Plani, i lansuar në vitin 2023, parasheh deri në gjashtë miliardë euro për reforma dhe investime, përveç 29 miliardë eurove të parapara përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve.

Në diskutimet e liderëve do të përfshihen edhe çështjet e sigurisë, mbrojtjes, stabilitetit rajonal, kërcënimeve kibernetike dhe ndikimeve të huaja.

Samiti synon gjithashtu të riafirmojë përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor

Të ngajshme

Gruaja dyshohet se u sulmua fizikisht nga partneri në Vushtrri

Rrezarta Ramaj

Vodhi 19 euro në dy lokale, kapet i dyshuari në Fushë Kosovë

Rrezarta Ramaj

Radhë të gjata në repartin e Ortopedisë, pacientët presin në korridore për operime dhe fotografime

Rrezarta Ramaj
Lajmet po ngarkohen…