NATO ka zhvilluar sot një takim të Këshillit të Atlantikut të Veriut në formatin KFOR, së bashku me partnerët kontribuues me trupa, ku komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Özkan Ulutaş, ka raportuar për situatën e sigurisë në Kosovë dhe për përpjekjet e misionit për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë.
Në raportimin e tij të fundit para Këshillit, ku mori pjesë virtualisht, Ulutaş dha një përditësim mbi përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes.
NATO theksoi se KFOR-i e zhvillon misionin e tij në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.
Në takim, komandanti i KFOR-it ka folur edhe për procesin e optimizimit të pranisë së misionit, i cili, sipas NATO-s, vjen si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë.
“Ai ndau gjithashtu pikëpamjet e tij mbi përpjekjet e vazhdueshme për të optimizuar praninë e KFOR-it, që vijnë si rezultat i përmirësimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë në Kosovë. Procesi i optimizimit synon të sigurojë që misioni të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij. Ai bazohet në kushtet në terren, po zbatohet gradualisht dhe do të jetë plotësisht i kthyeshëm, në rast zhvillimet përkatëse të sigurisë e kërkojnë këtë”, thuhet në komunikatën e NATO-s.
Aleanca ka bërë të ditur se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i pajisur, trajnuar dhe organizuar në mënyrë të përshtatshme për zbatimin e mandatit të tij afatgjatë të OKB-së.
Sipas NATO-s, misioni do të ruajë kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për t’iu përgjigjur një sërë skenarësh të mundshëm të sigurisë.
“Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën. Angazhimi i NATO-s për të mbështetur sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal mbetet i palëkundur. NATO gjithashtu vazhdon të mbështesë fuqishëm Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të mbetura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e NATO-s.

