Federata e Futbollit e Kosovës me pikëllim të madh ka njoftuar sot opinionin se pas një sulmi kardiak ka ndërruar jetë, futbollisti i FC Trepça ’89 dhe njëherësh anëtari i ekipeve kombëtare të Kosovës, Erion Kajtazi.
Talenti i madh i futbollit kosovar ka qenë duke luajtur në ndeshjen A&N – Trepça’89, në kuadër të Superligës në kategorinë e juniorëve, kur në një moment ka rënë pa vetëdije në fushë.
Thuhet se stafet mjekësore të të dyja klubeve kanë intervenuar me shpejtësi për t’i ofruar ndihmë dhe më pas me urgjencë e kanë dërguar në Spitalin Rajonal në Prizren.
Megjithatë, përkundër përpjekjeve maksimale të mjekëve, Erioni nuk ka dhënë shenja jete dhe është konstatuar vdekja e tij nga ataku kardiak.
Telenews.al i shpreh ngushëllimet më të sinqerta Familjes Kajtazi, FC “Trepça’89” dhe tërë komunitetit të futbollit për vdekjen e parakohshme të Erionit.


