Një shtetas i Austrisë është ndaluar nga Policia në Malishevë, pasi dyshohet se ka poseduar armë pa leje brenda automjetit të tij.
Sipas burimeve nga hetuesia, gjithçka ka nisur në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, kur Njësia e Autostradës kishte tentuar ta ndalonte një automjet me targa austriake BN-640-RH në aksin Arllat–Malishevë, por drejtuesi nuk kishte respektuar urdhrat e Policisë dhe kishte vazhduar lëvizjen.
Pas ndjekjes policore, automjeti është ndaluar rreth orës 07:30 në rrugën “Imer Krasniqi” në Malishevë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe krim-tekniku, ku gjatë kontrollit në veturë është gjetur dhe konfiskuar një revole e llojit “TAURUS-Brazil”, si dhe katër fishekë të së njëjtës armë.
I dyshuari, Kujtim Xhyliqi, është shoqëruar në Stacionin Policor në Malishevë për intervistim.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurorja kujdestare, e cila ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt hetimore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

