Telenews

Nënsekretarja italiane e Mbrojtjes: Siguria e Kosovës kushtëzon sigurinë evropiane

Ballkani Perëndimor është tani një nga zonat më të ndjeshme në Evropë. Një fuçi baruti ndëretnike që nuk është qetësuar kurrë, rajoni mbetet një vatër e paqëndrueshmërisë së mundshme. Italia është në ballë të misionit të KFOR-it në Kosovë, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e rajonit përmes veprimit të Forcave të Armatosura dhe Karabinierëve.

Revista italiane “Airpress (Formiche)” foli për këtë çështje me Isabella Rautin, Nënsekretare e Shtetit për Mbrojtjen, për të eksploruar rëndësinë politike dhe operacionale të angazhimit të Italisë në Kosovë, dinamikën rajonale dhe rolin e diplomacisë ushtarake në ndërtimin e një paqeje të fortë dhe të qëndrueshme.

“Interesi ndërkombëtar në Ballkanin Perëndimor po rritet sepse stabiliteti i rajonit bie mbi atë global; dhe rruga e integrimit euroatlantik është e ekspozuar ndaj rrezikut për shkak të tensioneve etnike në veri të Kosovës dhe çështjeve kritike në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës. Ka shumë aktorë jo-evropianë të interesuar në kuadratin e Ballkanit Perëndimor; Federata Ruse, për shembull, ruan një kapacitet të caktuar për ndikim në rajon edhe përmes lidhjeve historike, kulturore dhe fetare; Kina – nga ana tjetër – përdor levat e saj financiare dhe rrit aktivitetet në zonë për të rritur sferën e saj të ndikimit”, ka thënë Rauti në këtë intervistë, e cila së fundmi vizitoi Kosovën për të parë nga afër situatën në terren.

Dyshi i ministrisë së mbrojtjes në Itali tha se nga një këndvështrim gjeopolitik, integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor përfaqëson një investim strategjik për sigurinë e Evropës.

Sipas saj, rajoni është thelbësor për ekuilibrin evropian; “dhe, siç është përsëritur vazhdimisht nga Qeveria, Italia vazhdon të jetë e përkushtuar për të promovuar rrugën e integrimit, të cilën ne preferojmë ta përkufizojmë si ‘ribashkimi i Evropës’”.

“Ne jemi të bindur, në fakt, se siguria e Kosovës kushtëzon sigurinë evropiane dhe jemi po aq të vetëdijshëm se lënia e një vakumi në Ballkan për një kohë të gjatë mund të çojë në elementë të mëtejshëm të paqëndrueshmërisë”, është shprehur Isabella Rautin, Nënsekretare e Shtetit për Mbrojtjen.

Ajo kujtoi edhe deklarimin e kryeministres Giorgia Meloni në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) të mbajtur majin e kaluar në Tiranë, e cila tha se “një Evropë e re nuk është e mundur pa Ballkanin Perëndimor dhe popujt dhe identitetet e tyre”.

“Prandaj, Italia është e përkushtuar ndaj një qasje strategjike që çon në ofrimin e një perspektive të integrimit evropian për Ballkanin Perëndimor. Por është po aq e qartë se nevojitet një formë e qëndrueshme normalizimi dhe deeskalimi afatgjatë, me një dialog të hapur midis Kosovës dhe Serbisë. Evropa nuk do të jetë kurrë vërtet e bashkuar dhe e ribashkuar derisa Ballkani Perëndimor të ketë hyrë në familjen institucionale të Bashkimit Evropian. Një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por një investim për të ardhmen”, theksoi Rauti.

Për vizitën e saj të fundit në Kosovë, te kontingjenti italian i angazhuar në misionin e KFOR-it, Rauti tha se paqeruajtësit kanë 26 vjet në veprim, dhe se Italia me kontingjentet e saj, ka qenë e pranishme që nga fillimi dhe është ndër kontribuesit kryesorë të 33 vendeve pjesëmarrëse.

“Përveç kësaj, ne kemi mbajtur komandën 14 herë. Ne jemi në Kosovë në bazë të Rezolutës Nr. 1244/1999 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe burrat dhe gratë e Forcave tona të Armatosura punojnë për të kontribuar në stabilitetin e rajonit dhe sigurinë e tij, për të promovuar kohezionin social dhe bashkëjetesën paqësore midis komuniteteve lokale”, deklaroi Rauti.

Nënsekretarja e Shtetit për Mbrojtjen shtoi se janë nëntë vende që operojnë në Komandën Rajonale Perëndimore të udhëhequr nga Italia dhe theksoi se ushtarët italianë kryejnë aktivitete kinetike në terren dhe bashkëpunojnë me institucionet dhe autoritetet lokale në mbështetje të popullsisë, gjithashtu me projekte të Bashkëpunimit Civil-Ushtarak përmes qelizave CIMIC.

Ajo deklaroi se angazhimi i Komandës Rajonale Perëndimore synon të sigurojë lirinë e lëvizjes së komuniteteve lokale dhe sigurinë, në veçanti përgjatë kufirit midis Kosovës dhe Serbisë, “e ashtuquajtura Vija Kufitare Administrative (ABL)”.

Ndër të tjera, ajo thekson se Italia është në Kosovë për të mbajtur të hapur dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, i cili udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, “por që mund dhe duhet të zhvillohet vetëm në kushte të qëndrueshme sigurie”.

“Roli i KFOR-it, sipas mandatit të NATO-s, është gjithashtu të përmbajë tensionet etnike dhe t’i mbajë ato brenda një perimetri paqësor, duke i parandaluar ato të degjenerojnë në konflikt. Ndikimi i Misionit është konkret, ai vepron në stabilitetin e territorit dhe në dialogun e mundshëm midis Kosovës dhe Serbisë; siguria e këtij kuadrati gjeostrategjik kontribuon në atë global”, u shpreh ajo, raporton Klankosova.tv.

Më tutje, Nënsekretarja e Shtetit për Mbrojtjen, tha se Karabinierët japin një kontribut të vlefshëm në KFOR.

“Regjimenti i Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm të Karabinierëve në Mitrovicë, në veri të Kosovës, një zonë e karakterizuar nga një prani e madhe e serbëve etnikë dhe tensioneve historike ndëretnike. Prania 24/7 e Karabinierëve italianë ndihmon në krijimin e situatave të nevojshme të sigurisë për lëvizjen e lirë dhe bashkëjetesën paqësore të grupeve etnike shqiptare dhe serbe”.

“Karabinierët janë gjithashtu të pranishëm në Kosovë në misionin më të madh civil të Bashkimit Evropian, EULEX, i cili përqendrohet në sektorin gjyqësor me qëllim ndalimin e ndërhyrjeve politike dhe promovimin e pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Karabinierët që shërbejnë në këtë Mision luajnë një rol vendimtar në mbështetjen e demokracisë, sigurisë, sundimit të ligjit dhe pajtimit midis komuniteteve të ndryshme”, tha Rauti.

Në fund, ajo deklaroi se Italia do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, pasi kjo, sipas saj, është edhe një domosdoshmëri strategjike.

“Një konflikt i mundshëm në zonë do të zhbënte përpjekjet e bëra dhe rezultatet e arritura, dhe do të sillte një element të mëtejshëm dhe serioz të paqëndrueshmërisë së përhapur në skenarin global”, përfundoi Nënsekretarja e Shtetit për Mbrojtjen, Isabella Rauti.

Të ngajshme

“Politikë arrogante që dëmtoi ekonominë”- AKB dhe njohësit e ekonomisë Muratit pasi Supremja ia rrëzoi vendimin për arkat

KushtrimGuraj

Rohde paralajmëron për moskonstituimin e Kuvendit: Kosova mund ta humbasë relevancën

KushtrimGuraj

Barduani pret emisaren britanike, diskutojnë për sigurinë dhe dialogun Kosovë-Serbi

KushtrimGuraj