Telenews

Nesër përpjekja e 12’të për konstituim, VV insiston në votim të fshehtë për Albulena Haxhiun

neser-perpjekja-e-12’te-per-konstituim,-vv-insiston-ne-votim-te-fshehte-per-albulena-haxhiun

Nesër do të bëhet përpjekja e 12’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Seanca do të fillojë në orën 10:00. Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë dhënë sinjale se do të vazhdohet me propozimin për ndryshimin e formës së votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. E propozuara për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, në asnjë nga votimet s’ka arrritur të marrë mbi 57 vota. Për t’u zgjedhur i nevojiten 61. LDK ka dalë sot me një propozim për zgjidhjen e ngërçit, shkruan Reporteri.net.

Një përpjekje tjetër për konstituimin e Kuvendit, pas 11 të dështuarave, do të bëhet sërish nesër. Seanca konstituive, e ndërprerë të hënën, do të vazhdojë në orën 10:00.

Në tri seancat e fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar ta ndryshojë formën e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, në votim të fshehtë.

Secilën herë kjo është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe, të cilat kanë refuzuar të propozojnë anëtarë Komisioni.

Edhe nesër pritet të ndodhë e njëjta gjë. Për këtë ka dhënë sinjale deputeti Hekuran Murati.

Ai e ka lidhur me votimin në Bundestag për Kancelarin e Gjermanisë, ku Friedrich Merz u zgjodh sot me votim të fshehtë.

Sipas Muratit, e njëjta formë votimi do të duhej të ishte edhe në Kosovë për të mundësuar zgjidhjen e ngërçit.

„Votimi i fshehtë është formë demokratike për shprehje të vullnetit të lirë të deputetëve, dhe do të mundësonte zgjidhjen e ngërçit për konstituim të Kuvendit edhe tek ne. Bllokada që opozita po vazhdon t’ia bëjë konstituimit të Kuvendit është jashtë çdo arsyeje. Është për t’u marrë shembull sjellja e partive gjermane, që, megjithëse votimi për Kancelar në herën e parë dështoi të prodhonte rezultat, askush nuk e bëri temë ndërrimin e kandidatit dhe askush nuk kërkoi qeveri tranzicioni“, ka shkruar Murati.

VV’ja ka propozuar për Kryetare Kuvendi Albulena Haxhiun, e cila nuk e ka mbështetjen e partive tjera.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar vazhdimisht VV’së që ta ndërrojë emrin, teksa janë përmendur edhe emra nga kjo parti që do të mund t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë propozim të kësaj partie.

Vetëvendosje po insiston në emrin e Haxhiu për Kryetare Kuvendi, teksa në tri seancat e fundit ka bërë përpjekje që ta ndryshojë mënyrën e votimit për zgjedhjen e saj, në formë të fshehtë.

Pas dështimit të seancës së 11’të, kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i dërgoi një letër atij të LDK’së, Lumir Abdixhikut, ku i kërkoi që të hynin në koalicion bashkë.

Abdixhiku ia ka kthyer përgjigjen sot, duke refuzuar bashkëpunimin.

Në letrën drejtuar Kurtit është përfshirë edhe propozimi për fillimin e një procesi të ri konsultativ, që parasheh përfshirjen e partive politike parlamentare shqiptare, me qëllim formimin e një Qeverie Nacionale të Tranzicionit.

LDK është shprehur e gatshme që ta drejtojë këtë proces konsultativ, siç ka thënë, për të zgjidhur krizën aktuale dhe garantuar stabilitetin kombëtar në vend.

“Qeveria Nacionale e Tranzicionit, e formuar nga të gjitha partitë shqiptare dhe, në përputhje me dispozitat kushtetuese, edhe nga përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë, do të ketë afat të caktuar (deri në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri), qëllime të qarta politike dhe ekzekutive, program dhe agjendë ekzekutive të dakorduar, si dhe kryeministër dhe kabinet përfaqësues dhe unifikues.”, thuhet në letër.

Deri tani vetëm Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, e ka pranuar ftesën për një takim të tillë.

Ai i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se është informuar për propozimin e LDK’së dhe se do të diskutojnë e vendosin nesër në Kryesi.

”Qëndrimet tona lidhur me situatën e krijuar janë të qarta dhe konsistente. Ne kemi theksuar vazhdimisht se vendi nuk mund të mbetet peng i interesave të ngushta politike dhe se bllokada institucionale është pasojë direkte e qasjes së papërgjegjshme dhe imponuese të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila po insiston me çdo kusht ta mbajë vendin në krizë. Sa i përket propozimit të LDK-së, jam i informuar tashmë. Gjithsesi, vendimet e rëndësishme ne i marrim në organet e partisë, andaj nesër, në mbledhjen e rregullt të Kryesisë do të diskutojmë për të gjitha zhvillimet politike dhe për hapat e mëtejshëm”, ka deklaruar Krasniqi për Reporteri.net.

Nga Lëvizja Vetëvendosje e kanë cilësuar si të papranueshëm këtë propozim, teksa deputetë të kësaj partie janë lëshuar në sulme ndaj LDK’së./Reporteri.net

The post Nesër përpjekja e 12’të për konstituim, VV insiston në votim të fshehtë për Albulena Haxhiun first appeared on Gazeta Online Reporteri.net.

Të ngajshme

Sulmi ushtatak i Indisë kundër Pakistanit, vjen reagimi i Trump

KushtrimGuraj

Sulmi me raketa i Indisë në Pakistan, së paku 2 të vrarë dhe 12 të plagosur

KushtrimGuraj

Lushaku-Sadriu e quan Pecin “shërbëtor” të Vetëvendosjes: Braktisi LDK-në për interesa personale

KushtrimGuraj