Tregtarët e drunjve, prapa kamerës u shprehën se interesimi i qytetarëve për të blerë drunj ka rënë dukshëm, krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkaq, qytetarët thonë se çmimi i drunjve është shumë i lartë, dhe se sipas tyre tregtarët po bëjnë mashtrime në matjen e tyre.
Qytetari nga Prishtina, Hamit Krasniqi u shpreh se gjithmonë ngrohen vetëm me dru, derisa shtoi se tregtarët që merren me shitje të drunjve bëjnë “dallavere” sa i përket sasisë.
Po ashtu, edhe qytetari, Feti Gashi tha se këtë vit ka blerë 15 metra dru me çmimin prej 55 euro për një metër, derisa shtoi se për shkak se nuk janë të kyçur në ngrohtore të qytetit, janë të detyruar të gjejnë alternativë për ngrohje.
Ndërkaq, qytetari tjetër Vesel Veseli tregoi se tash e dy vjet po ngrohen nga “Termokos”, dhe se sipas tij kostoja është më e ulët, krahasuar me atë të druve. Ai vlerësoi të shtrenjtë çmimin e metrit te drurëve, derisa kalkuloi se si mund t’ia dalë një pensionist me 100 euro të bëj zgjidhje për çështjen e ngrohjes.
Ndërkaq, tregtarët e drunjve, të cilët nuk deshën të prononcohen para kamerës, treguan se drunjve i kanë vendosur çmimin varësisht prej cilësisë. Njëri prej tyre tha se drunjt më të mira janë 65 euro, ndërsa më të hollat 60 euro. Derisa një tregtar tjetër u shpreh se metrin e drurëve e shet nga 63 euro, por që sipas tij, interesimi për t’i blerë ato ka rënë dukshëm, krahasuar me vitin e kaluar.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.
Ndërkaq, përveç alternativës me drurë, qytetarët zgjedhin të ngrohen edhe nga ndërmarrja e qytetit “Termokos”, e cila ka njoftuar se do të rrisin rrjetin e shtrirjes, duke shtuar rreth nëntë mijë njësi banimi në këtë sezon. Gjithashtu, nga kjo ndërmarrje kanë potencuan se deri më tani janë mbi 14 mijë familje të cilat kanë përfituar nga projekti për vendosjen e pajisjeve matëse në radiatorë.
Kurse, Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa.
Përmes kësaj thirrjeje, qytetarët do të subvencionohen deri në 2 mijë euro.
Afati do të jetë i hapur për aplikim deri më 22 nëntor të këtij viti.
Derisa, potencohet se përmes kësaj thirrjeje po synohet që të kursehet energjia elektrike.