Telenews

Një tjetër hap drejt fuqizimit të ushtrisë, investime milionëshe për kushte më të mira të FSK’së

Ministria e Mbrojtës e udhëhequr nga ministri në detyrë, Ejup Maqedonci ka paraqitur kërkesë për realizimin e një projekti të rëndësishëm infrastrukturor në kuadër të modernizimit të FSK-së, që parasheh ndërtimin e objekteve të reja të akomodimit në tri kazerma të vendit.

Sipas dokumentit zyrtar në E-prokurim, projekti është ndarë në tri pjesë dhe përfshin ndërtimin e objekteve të akomodimit në kazermat e FSK-së në Istog, Gjilan dhe Gjakovë.

Ky investim synon përmirësimin e kushteve për personelin ushtarak, si dhe ngritjen e kapaciteteve operative dhe efikasitetit të FSK-së në përmbushjen e misionit të saj.

Në përshkrimin e kontratës thuhet se operatori ekonomik që do të përzgjidhet duhet të ketë kapacitete të plota profesionale dhe teknike për realizimin e projektit, ndërsa të gjitha punimet do të kryhen në përputhje me specifikat teknike, paramasat dhe parallogaritë e përcaktuara në dosjen e tenderit.

Vlera e parashikuar e kontratës arrin në 3 milionë euro, ndërsa projekti është planifikuar të realizohet si projekt trevjeçar.

Po ashtu, në kriteret e tenderit është theksuar se operatorët ekonomikë duhet të paraqesin listën e stafit profesional dhe udhëheqës, së bashku me dëshmitë për kualifikimet shkollore dhe profesionale të personave që do të jenë përgjegjës për realizimin e kontratës.

Ky projekt konsiderohet një tjetër hap në avancimin e infrastrukturës së FSK-së, e cila vitet e fundit ka shënuar investime të vazhdueshme në ngritjen e kapaciteteve operative, logjistike dhe profesionale.

Të ngajshme

Maqedonia e Veriut humb 10 mijë banorë në vit nga emigrimi dhe rënia e lindshmërisë

Valjeta Turkaj

Oda e Avokatëve alarmon për vonesat në rastet e paraburgimit: “Po cenohet seriozisht liria personale”

Valjeta Turkaj

Rubio: Një ujdi ‘e fortë’ me Iranin mund të arrihet të hënën

Valjeta Turkaj