Telenews

Oda e Avokatëve alarmon për vonesat në rastet e paraburgimit: “Po cenohet seriozisht liria personale”

Oda e Avokatëve të Kosovës ka shprehur shqetësim serioz lidhur me vonesat e vazhdueshme në trajtimin e ankesave kundër vendimeve për caktimin apo vazhdimin e masës së paraburgimit, duke paralajmëruar se praktika të tilla po cenojnë drejtpërdrejt të drejtat themelore të njeriut dhe sigurinë juridike.

Përmes një reagimi publik, OAK ka theksuar se Kodi i Procedurës Penale ka përcaktuar afate të qarta dhe detyruese për trajtimin e këtyre rasteve, pikërisht për shkak se paraburgimi përbën kufizimin më të rëndë të lirisë personale para një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Megjithatë, sipas Odës së Avokatëve, në praktikë po vërehen vonesa të konsiderueshme në shqyrtimin e ankesave dhe dorëzimin e vendimeve nga instancat më të larta gjyqësore.

“Në jo pak raste, vendimet e Gjykatës së Apelit pranohen nga palët pas disa javësh, madje ka raste kur paraburgimi vazhdohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, ndërkohë që pala ende nuk e ka pranuar vendimin e Apelit lidhur me vendimin paraprak”, thuhet në reagim.

OAK ka ngritur shqetësim edhe për vonesat në procedurat pranë Gjykatës Supreme, duke vlerësuar se mosrespektimi i afateve ligjore nuk është vetëm problem procedural, por cenim serioz i garancive kushtetuese dhe konvencionale që lidhen me lirinë personale, procesin e rregullt ligjor dhe efektivitetin real të mjeteve juridike.

Në fund, Oda e Avokatëve u ka bërë thirrje institucioneve gjyqësore që trajtimi i ankesave në çështjet e paraburgimit të ketë prioritet absolut dhe afatet ligjore të zbatohen në mënyrë rigoroze, në funksion të mbrojtjes së të drejtave themelore dhe forcimit të besimit në sistemin e drejtësisë.

Të ngajshme

Hyn në fuqi ligji i ri për shtetësinë në Kosovë

Valjeta Turkaj

Shkelësit e trafikut: 33 shoferë mbetën pa leje brenda dy ditësh në Gjakovë

Valjeta Turkaj

Maqedonia e Veriut humb 10 mijë banorë në vit nga emigrimi dhe rënia e lindshmërisë

Valjeta Turkaj