Telenews

Pas dështimit të votimit në veri, vlerësohet se Kosovës do t’i shtohet presioni për themelimin e Asociacionit

Pas dështimit të procesit të votimit në katër komunat veriore me shumicë serbe për largimin ose jo të kryetarëve, Kosovës do t’i shtohet presioni nga ndërkombëtarët për themelimin e Asociacionit.

Kështu ka vlerësuar profesori universitar, Milazim Krasniqi, i cili ka theksuar se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga ndërkombëtarët do të shihet si e vetmja formë për t’i riintegruar serbët në institucione kosovare.

Krasniqi ka deklaruar se organizimi i procesit të votimit përmes udhëzimeve administrative ishte gabim, pasi, sipas tij, ka qenë e ditur se Serbia do të kishte ndikim në këto zgjedhje.

“Këto zgjedhje janë produkt i mendjelehtësisë së qeverisë, i lehtësisë së papërballueshme me të cilën ata janë qasë problemit të veriut, që shumë ma kompleks dhe shumë ma problematik. Dhe tani jemi në një situatë që me siguri pas kësaj është vërtetu që qeveria nuk ka kurrfarë pushteti politik atje. Do të rritet edhe më shumë presioni ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit, si e vetmja mënyrë për t’i riintegruar serbët në institucione”, ka deklaruar ai për EO.

Milazim Krasniqi – Profesor.

Ai, gjithashtu, ka shprehur shqetësim për mungesën e kontrollit të Qeverisë mbi veriun, duke theksuar nevojën për zgjidhje politike të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe SHBA-ja.

Profesori Krasniqi gjithashtu ka vlerësuar se për të parandaluar eskalimin e situatës në veri, Qeveria e Kosovës duhet të dërgojë draftin e Asociacionit në Kushtetuese, të sjellë dorëheqjen e kryetarëve në veri dhe të themelojë Asociacionin, duke e shoqëruar me organizimin e zgjedhjeve dhe finalizimin e marrëveshjes bazë.

“Qeveria do të duhej të shkonte në një drejtim tjetër, e para që me urgjencë ta dërgonte draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese, e dyta që kryetarët e komunave atje të japin dorëheqje momentale dhe të lidhen pastaj një aksion politik përmes themelimit të Asociacionit, organizimit të zgjedhjeve dhe finalizimit të marrëveshjes bazë”, ka thënë mes të tjerash ai.

Kjo, sipas tij, do të riintegronte serbët dhe do të eliminohej rreziku i konfliktit në veri, duke siguruar stabilitet për Kosovën në tërësi.

Dështon iniciativa për shkarkimin e kryetarëve në komunat veriore

Më 21 prill, pas orës 19:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se iniciativa për largimin e kryetarëve në veri ka dështuar, për shkak se nuk kanë votuar aq qytetarë sa kërkon ligji.

Erden Atiq, Ilir Peci, Lulzim Hetemi e Izmir Zeqirit do të vazhdojnë të jenë në krye të komunave përkatëse.

Shumica dërrmuese e qytetarëve në veri të vendit e kanë bojkotuar votimin për shkarkimin e kryetarëve.

Para se të organizohej ky votim, Lista Serbe u kishte bërë thirrje qytetarëve atje që të bojkotohej procesi.

source

Të ngajshme

Hoti e akuzon Qeverinë se i ka shpallur luftë mediave, sindikatave e bizneseve

Ndalohet një person në Ferizaj, dyshohet se dhunoi viktimën që ka ngecje në zhvillim mendor

Cerifikohen snajperistë që do t’iu shtohen njësive të FSK-së

Donat Hashani