Administrata Tatimore e Kosovës ka përfunduar aksionin hetimor në dy lokacionet e një biznesi privat në Prishtinë.
Përmes njoftimit, ATK ka bërë të ditur se qëllimi i ndërmarrjes së aksionit ishte hetimi i transaksioneve biznesore të kësaj kompanie që ishte konstatuar se kanë mospërputhje me disa informata të siguruara nga palët e treta.
‘’Qëllimi i ndërmarrjes së këtij aksioni ishte hetimi i transaksioneve biznesore tek një kompani, të cilat transaksione bazuar në informatat e pranuara nga palët e treta, si dhe krahasimit të tyre me informatat me të cilat disponojmë në databazën e ATK-së, kemi konstatuar mospërputhje të deklarimeve të bëra në ATK ne raport me informatat të cilat janë siguruar nga palët e treta. DHTI pas ndjekjes së të gjitha procedurave më Prokurorin dhe pas aprovimit të urdhëresës për bastisje nga ana e Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, me qëllim të sigurimit të fakteve kemi zhvilluar një aksion kontrolli ( bastisje )’’, thuhet ndër tjerash në njoftim.
Tutje, Administrata njoftoi se ka sekuestruar dokumentacionin kontabël, fatura të shitjes së shërbimeve, evidencën e klientëve për shërbimet e kryera, listën e produkteve në stoqe, 2 USB dhe ekstraktimi i dosjeve elektronike nga 5 kompjuterë, si dhe shënime të tjera relevante rreth rastit.
“Pas analizimit të informatave dhe dëshmive të marra rasti do të procedohet në Prokurorinë kompetente dhe për të gjeturat e konstatuara do të jeni të informuar”, njoftoi ATK-ja.