Presidenti amerikan, Donald Trump kërkoi gjatë bisedës telefonike me homologun rus, Vladimir Putin të ndalet shpejt lufta në Ukrainë, ndërsa një zyrtar i Kremlinit tha se presidenti i Rusisë përsëriti se Moska do të vazhdojë të kërkojë zgjidhjen e “shkaqeve rrënjësore” të konfliktit.
Të dy liderët nuk diskutuan për pezullimin e fundit ë disa dërgesave armësh nga SHBA-ja për Kievin gjatë bisedës që zgjati afro një orë, sipas raportit të dhënë nga ndihmësi i Putinit, Yuri Ushakov.
Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i tha gazetarëve në Danimarkë se shpreson të flasë me Trumpin sa më shpejt pas pezullimit të disa dërgesave të armëve.
Trump nuk komentoi menjëherë bisedën me Putinin, por më parë në rrjetet sociale tha se do të fliste me liderin rus, raporton reuters.
Termi “shkaqet rrënjësore” përdoret në Rusi për të përshkruar çështjen e zgjerimit të NATO-s dhe mbështetjes perëndimore për Ukrainën, duke përfshirë refuzimin e çdo ideje për anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Liderët rusë gjithashtu synojnë të ushtrojnë kontroll më të madh mbi vendimet politike të marra në Kiev dhe kryeqytetet e tjera të Evropës Lindore, kanë thënë udhëheqësit e NATO-s.
Ushakov tha se çështja e dërgesave të armëve në Ukrainë nuk u përmend gjatë bisedës telefonike Trump-Putin.
Ai shtoi se, ndërsa Rusia është e gatshme të vazhdojë bisedimet me SHBA-në, çdo negociatë paqeje duhet të zhvillohet midis Moskës dhe Kievit.
Ky koment vjen në një kohë kur ka tregues se Moska po përpiqet të shmangë një format trilateral për negociatat e paqes. Zyrtarët ukrainas thanë se rusët kërkuan që diplomatët amerikanë të largoheshin gjatë një takimi të tillë në Stamboll në fillim të qershorit.
Ushakov tha gjithashtu se Trump dhe Putin nuk diskutuan për një takim ballë për ballë.