Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka përfunduar të enjten dita e parë e deklaratave përfundimtare në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë. Seanca e deklaratave përfundimtare është paraparë të zhvillohet më 10, 11 dhe 14 shtator.
Prokuroria Speciale ka kërkuar nga trupi gjykues që të akuzuarit të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës. Ajo ka kërkuar gjashtë vjet burgim për Hashim Thaçin, nëntë muaj për Hajredin Kuçin dhe nga tre vjet për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun.
Në anën tjetër, mbrojtja e Thaçit ka kërkuar lirimin e tij nga të gjitha akuzat, duke argumentuar se Prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë përtej dyshimit të arsyeshëm se ai ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.
Avokatja Sophie Menegon ka kundërshtuar pretendimet për ndërhyrje te dëshmitarët, duke thënë se asnjë nga dëshmitarët e përmendur në aktakuzë nuk ka deklaruar se është ndikuar nga Thaçi apo të akuzuarit e tjerë. Sipas mbrojtjes, bisedat e zhvilluara në Qendrën e Paraburgimit nuk kanë prodhuar pasoja konkrete në proceset gjyqësore.
Mbrojtja ka kundërshtuar edhe interpretimin e Prokurorisë për veprën penale të pengimit dhe format e përgjegjësisë penale, ndërsa ka vënë në pikëpyetje edhe provat e ekspertit të Prokurorisë, Koen Herlar.
Sipas mbrojtjes, nuk janë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm as akuzat për pengim, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Ajo ka argumentuar se, nëse gjykata vlerëson se duhet të shqiptohet burgim ndaj Thaçit, dënimi nuk duhet të jetë më i gjatë se koha që ai ka kaluar tashmë në paraburgim.
Ndërkohë, mbrojtja e Bashkim Smakajt ka kërkuar lirimin e tij, duke pretenduar se Prokuroria nuk ka dëshmuar se ai ka marrë pjesë në bisedat e incizuara më 9 shtator dhe 7 tetor 2023, të cilat ZPS-ja i konsideron pjesë të veprave penale për të cilat akuzohet.
Smakaj akuzohet për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

