Telenews

Përfundon ekzaminimi: Naim Murseli nuk ka çrregullim apo sëmundje mendore

Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murseli.

Në dokumentin e siguruar nga KOHA thuhet se Murseli nuk ka ndonjë çrregullim mendor.

“Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”, thuhet në raport.

Tutje thuhet se nuk është konstatuar ndonjë përmbajtje, ngecje mendore apo abuzim më substanca psikoaktive ose alkool.

“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij. Kjo është bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës, për të cilën akuzohet”, thuhet në raport.

Në konstatimet e raportit thuhet se Murseli “është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm”.

“Mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore, është i aftë për të mbrojtur veten, të konsultohet me persona të tjerë duke përfshitë mbrojtësit, kupton akuzën dhe është në gjendje të përballet me gjykimin”, thuhet në raport.

Murseli para katër javësh ishte dërguar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike për ekzaminim psikiatrik.

Kërkesën për ekzaminim psikiatrik, mbrojtja e Murselit e kishte justifikuar duke thënë se klienti ka shpërfaqur gjendje psikiatrike të paqëndrueshme.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli është deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.

Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për një grabitje, e më pas Prokuroria bëri të ditur se është inskenim i një grabitjeje.

Të ngajshme

Rama: Brenda vjeshtës do t’i hapim të gjithë kapitujt me BE-në

Valjeta Turkaj

E dhimbshme: Sot i jepet lamtumira e fundit 15-vjeçarit që humbi jetën në aksidentin tragjik në Podujevë

Valjeta Turkaj

Pishina e Gërmisë hapet pa u mbushur me ujë, incident që në ditën e parë

Valjeta Turkaj