Stuhitë e fuqishme kanë përfshirë jugun e Italisë, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu dhe dëme të shumta materiale. Napoli dhe Bari janë zonat me të prekura, ndërsa autoritetet kanë ngritur nivelin e alarmit për shkak të reshjeve intensive dhe rrezikut nga moti i keq.
Në Napoli, zjarrfikësit kanë kryer rreth 150 ndërhyrje për përmbytje dhe dëmtime të ndërtesave.
Në zonën e Mergellinës, një rrëshqitje dheu bëri të nevojshëm evakuimin paraprak të banorëve nga tri apartamente.
Situata është problematike edhe në Bari, ku rrugët dhe nënkalimet u mbuluan nga uji, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim. Disa autobusë mbetën të bllokuar, ndërsa policia u bëri thirrje qytetarëve të shmangin zonat e përmbytura.
Përmbytje të konsiderueshme u regjistruan edhe në ishullin Lipari. Dhjetëra banesa u përmbytën, automjete mbetën të bllokuara në port dhe rrugët u mbuluan nga balta. Dy përrenj dolën nga shtrati, duke transportuar mbeturina drejt plazheve dhe detit. Zjarrfikësit ndërhynë për të ndihmuar personat e bllokuar.
Ndërkohë, në Melito Porto Salvo, në Kalabri, disa automjete përfunduan pranë shkëmbinjve në bregdet, ndërsa shembja e një muri dhe përmbytja e rrugëve krijuan situata të rrezikshme. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të kufizojnë lëvizjet dhe të dalin nga banesat vetëm kur është e domosdoshme.
Mbrojtja Civile italiane ka shpallur alarm portokalli për zona të Kampanias, Kalabrisë, Pulias dhe Siçilisë, duke paralajmëruar për reshje të dendura, erëra të forta dhe stuhi të tjera të mundshme. Ekipet e emergjencës vijojnë monitorimin e zonave të prekura.

