Ne gjithmonë do të qëndrojmë krah popullit të Kosovës”, thotë Gabriel Escobar, i dërguari i SHBA-së për t’u marrë me çështje në rajonin në të cilin bën pjesë edhe Kosova. Krerët e shtetit të vogël ballkanik në disa raste aluduan se ai qëndronte në anën e Serbisë. Specialisti i diplomacisë nuk e pati të lehtë në detyrën e emisarit, duke parë që thirrja e tij e vazhdueshme për t’u koordinuar këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij e cila u riciklua edhe javën e fundit
Detyra e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor nuk do të ketë qenë e lehtë as për një specialist të diplomacisë si Gabriel Escobar.
Siç ndoshta nuk do ta ketë pritur diplomati amerikan, disa pushtetarë në Kosovë dhe mbështetës të tyre në forma të ndryshme hodhën plot akuzua në drejtim të tij, duke e lidhur atë edhe me Serbinë.
Pothuajse në çdo paraqitje publike, Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit u mundua të argumentonte se SHBA-ja ka bërë shumë gjëra në favor të Kosovës. Thirrja e tij e vazhdueshme për t’u koordinuar këmbehej me fushata sulmesh ndaj tij. Nga Kosova ai priti themelimin e një asociacioni të komunave me shumicë serbe që s’do ta rrezikonte Kushtetutën apo strukturën ligjore të shtetit. Për një strukturë të tillë vetëmenaxhimi për serbët ishin pajtuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel dhe Ohër në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.
Nëse sulmuesit e Escobarit dhe vetë kryeministri Albin Kurti nuk do të mendonin se i dërguari i SHBA-së e bëri thjesht për ta joshur Qeverinë, mund të konstatohet se Kosova ka humbur mundësi të mëdha për t’u njohur plotësisht ndërkombëtarisht.
Kështu ishte puna sipas Gabriel Escobar, i cili kishte pranuar edhe publikisht se në Washington kanë “problem komunikimi me kryeministrin”, dhe thoshte se “ky nuk është problem vetëm i Shteteve të Bashkuara”.
Anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, me njohjen paraprake nga pesëshja e BE-së, diplomati amerikan e konsideroi si aspiratën më të lartë të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Marrëveshja e fundit në dialog, sipas tij ofronte mundësinë më të madhe që nga pavarësia që amerikanët të bashkëpunonin me Qeverinë e Kosovës në një fushatë globale të njohjeve që mund të niste vitin e kaluar.
Kështu thoshte ai në Capitol Hill në verën e vitit 2023, në një mbledhje ku Kosova ishte çështje kryesore e diskutimit.
Sulmet ndaj Escobarit, Kurti e Konjufca e qitën në anën e Serbisë
Pas akuzave lart e poshtë, një lajm (i rremë) doli në fundjavë. Pretendimi: Departamenti Amerikan i Shtetit e shkarkon Escobarin nga pozita e emisarit.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan i Shtetit i tha Gazetës Express atë ditë se Escobar nuk është shkarkuar, por që gjatë javëve në vijim do ta marrë një detyrë tjetër në shërbimin diplomatik amerikan, në kuadër të një rotacioni të planifikuar më herët.
Vedat Xhymshiti, një person aktiv në rrjetet sociale publikoi lajmin e rremë në ëeb-faqen e tij “Frontliner”, duke pretenduar se Escobar u shkarkua për shkak të një konflikti të interesit që komprometon pozitën e tij si ndërmjetës neutral në dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ky mbështetës aktiv i Qeverisë në “X”, pretendonte se diplomati amerikan u largua nga detyra si i dërguar për Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjeve financiare të bashkëshortes së tij me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë.
DASH-i i hodhi poshtë këto pretendime si “të rreme lehtësisht të verifikueshme”.
“Vudi Xhymshiti së fundmi ka bërë një numër deklaratash në internet për zotin Escobar, të cilat janë të verifikueshme si të rreme. Përkundër pretendimeve të zotit Xhymshiti, bashkëshortja e zotit Escobar kurrë nuk ka marrë fonde nga Ministria e Jashtme e Serbisë dhe zoti Escobar nuk ka asnjë lidhje familjare me të ashtuquajturin partner të zyrës së avokatisë në Texas, McGinnis Lochridge LLP”, thanë nga DASH.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u bë problematik për Washingtonin, ndërkohë që këmbëngulte se SHBA-ja po i qasej gabimisht Serbisë.
Në dhjetor të vitit 2022, Kurti thoshte në mediumin boshnjak, Oslobođenje se Escobar “ia do të mirën Serbisë” dhe se po tregohej bujar me Beogradin.
“Ai i uron mirë edhe Kosovës. Ai i uron mbarë rajonit tonë. Por zoti Escobar mendon se diplomacia, me sjellje jashtëzakonisht të mira ndaj Beogradit, do t’i kthehet atij. Por ne që jetojmë këtu e dimë që nuk është kështu”, deklaronte kryeministri.
Kurti thoshte se “sjellja dhe deklaratat e zotit Escobar ndaj Beogradit janë lëshime” dhe se ai “nëse nuk e ka kuptuar deri tani, do ta kuptojë shumë shpejt se kjo bujari ndaj Beogradit nuk ia vlen”.
Kjo ishte koha kur në fushatën e sulmeve ndaj Escobarit ishte përfshirë edhe gazetari dhe publicisti Enver Robelli, i njohur për qasjen e tij mbështetëse ndaj Qeverisë së Kurtit.
Robelli, duke shkruar fillimisht për lidhjet që sipas tij ish-ambasadori i SHBA-së në Beograd, William Montgomery i kishte me krimin e organizuar në Serbi, e përfshiu edhe Gabriel Escobarin, si njeriun që sipas tij ishte përpjekur ta pengonte shpërbërjen e Jugosllavisë.
Robelli thoshte se Montgomery, për ta penguar pavarësinë e Malit të Zi “filloi ta furnizojë Pukaniqin me informata delikate mbi përfshirjen e liderit malazez Millo Gjukanoviq në tregti me cigare”. Njëkohësisht, ai thoshte se “në një fejton të “Nacionalit” të Zagrebit për përzierje në tregti ilegale me cigare u akuzua edhe Zoran Gjingjiqi. Ivo Pukaniq u vra në tetor të vitit 2008 në Zagreb”.
“Sipas “Vreme” akuzat e Montgomeryt kundër Gjukanoviqit dhe Gjingjiqit nga Beogradi në Zagreb i barti diplomati amerikan Gabriel Escobar. Qëllimi i diskreditimit të Gjukanoviqit ishte pengimi i shpërbërjes së Jugosllavisë së përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi. Para dy dekadave Escobar ishte vartës i Montgomeryt. Tani ai ushtron një funksion tjetër: është i ngarkuar për Ballkanin i Departamentit të Shtetit, me fokus në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë”, shkruante Robelli.
Elvis Hoxha, anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, i angazhuar më herët nga Kurti për ta këshilluar, para një viti e pati shpërndarë një lajm me titullin “Ministria e Jashtme e Serbisë ‘e përkëdhel’ gruan e Escobarit me ekspozitë. A nuk është ky një nga treguesit pse ai po mban anën serbe”.
Po atë kohë, në llogari të ndryshme në Facebook shpërndaheshin lajme të rreme se “gruaja e Escobar mori 3.4 milionë dollarë nga Qeveria e Serbisë”.
Escobarin e sulmuan edhe deputetë të LVV-së. Njëri nga ta, Artan Abrashi, shkruante se “Escobar i ka premtuar Bërnabiqit (kryeministres së atëhershme serbe) që deri në fund të janarit do ta detyrojë Kosovën ta diskutojë ASMM”.
Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, numri dy në LVV pas Albin Kurtit, në mars të këtij viti pati disa akuza ndaj emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili sapo e kishte vizituar Kosovën dhe nga këtu kishte shprehur zhgënjimin me padëgjueshmërinë e Qeverisë.
Konjufca ka thënë se diplomati amerikan po e shtyn konceptin e emisarit të Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili, siç thotë ai, është në anën e Serbisë.
“Z. Escobar e shtyn konceptin e z. Lajçak. Unë nuk mendoj që z. Escobar ka një agjendë të veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në raport me vizitat e tij në Kosovë dhe me çka ai do të shtyjë përpara, ai do të shtyjë përpara atë që është ky koncepti amerikan që BE-ja është në udhëheqje të dialogut, kurse z. Escobar e shtyn përpara atë që e specifikon z. Lajçak”, shprehej ai në një intervistë në Kanal 10.
“Unë kam problem me këtë kornizë të z. Lajçak. Lajçaku është shumë i njëanshëm. Z. Escobar goxha shumë e mbështet këtë drejtim që e ka specifikuar z. Lajçak”, deklaronte Konjufca.
Ai e bëri edhe një krahasim mes ish-emisarit amerikan, Richard Grenell dhe emisarit aktual të Washingtonit, Gabriel Escobar. Sipas tij, vetëm çështja e shkëmbimit të territoreve i dallon ata.
“Ata i përkasin orientimeve të ndryshme politike, mirëpo më duket se Escobari dallon nga Grenelli substancialisht vetëm në çështjen e kufirit, pra shkëmbimit të territoreve. Në çështjet e tjera, presioni që e ka ushtruar është i njëjtë me të Grenellit. Nuk kam parë ndonjë dallim”.
Gabriel Escobar ka shërbyer si diplomat në Serbi, Bolivi, Pakistan, Irak, Bosnjë, etj. Është një diplomat karriere i vlerësuar gjashtë herë me Çmimin e Nderit Superior nga Departamenti i Shtetit dhe një herë me Çmimin e Nderit të Merituar. Ai është vlerësuar edhe me Çmimin e Shërbimit Ekspeditar të DASH dhe Çmimin e Shërbimit Civil të Lartë të Departamentit të Ushtrisë.