Telenews

Pishina e Gërmisë hapet pa u mbushur me ujë, incident që në ditën e parë

Pas vonesave të shumta, të martën u hap për qytetarët e Prishtinës pishina e vetme publike në kryeqytet, ajo e Gërmisë.

Megjithatë, dita e parë e funksionimit nuk kaloi pa incidente.

Sipas kryetarit të Këshillit Lokal të Sofalisë, Enver Redenica, për shkak se pishina nuk ishte e mbushur në nivelin e saj maksimal në momentin kur u lejuan vizitorët të hynin, rezultoi me lëndimin e një vajze, e cila pësoi goditje në hundë pasi ra në një pjesë të cekët të saj.

“Është e palogjikshme dhe nuk ka ndodhur asnjëherë të hapet Pishina e Gërmisë në këtë mënyrë. Prandaj edhe ka pësuar një vajzë. Kam lajmëruar Inspektoratin e Komunës së Prishtinës dhe Inspektoratin Sanitar, shpresojmë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm”, thekson Redenica.

I pyetur nga KOHA, kryeshefi i NPL “Sports Marketing”, Bardh Krasniqi, pohoi se një vajzë 15-vjeçare ka pësuar lëndim në hundë dhe në ballë por, sipas tij, incidenti ka ndodhur jashtë ujit të Pishinës së Gërmisë.

“Jo nuk ka ndodhur brenda në ujë, ajo ka luajtur, ka bërë salta, siç bëjnë fëmijët, pra jashtë ujit të pishinës së Gërmisë, është edhe te raporti i shpëtimtarëve. Vajza ka lënduar hundën dhe ballin. E kanë trajtuar mjekët. Ai zotëria mund të supozojë çka të dojë, po unë s’po shoh asnjë arsye që dikush të japë verdikte nga lagjja e tij. Është një aset që menaxhohet nga ndërmarrja”, është shprehur Krasniqi.
Për më tepër, pishina u hap pikërisht në kohën kur kushtet atmosferike u përkeqësuan dhe, si pasojë, gjatë ditës së mërkurë ajo pati shumë pak vizitorë.

Menaxheri i përgjithshëm i Pishinës së Gërmisë, Mërgim Mula, shpreson se deri në fund të kësaj jave uji do të arrijë nivelin e duhur.

“Realisht ndoshta i mungon edhe 15% e sasisë totale, por për shkak të humbjes në muajin qershor, dhe menduam që ta hapim të martën që të mos humbasim kohë dhe deri të premten besojmë që do të vijë në gjendjen e duhur, pra me sasi të konsiderueshme të ujit”, deklaron Mula.

Sipas Mërgim Mulës, vonesa në hapjen e pishinës ka ndodhur për shkak të kushteve klimatike. Megjithatë, ai vlerëson pozitivisht ndryshimet dhe përmirësimet që janë bërë në këtë pishinë.

“Është bërë një investim goxha i mirë. Sa i përket infrastrukturës e higjienës, shërbimit, kush do të vije do të ndahet i kënaqur. Çmimi do të jetë si sezonet paraprake, ndërsa për gastronomi do të jenë çmimet e njëjta si në lokalet e tjera të Prishtinës. Do të jetë e hapur nga ora 10:00 deri në 18:00 gjatë ditës, e në mbrëmje do të bëjmë aktivitete kulturore të ndryshme këtu”, thotë Mula.

Përveç hyrjes, qytetarët duhet të paguajnë shezlonët nga 5 dhe 8 euro.

“Realisht pagesa nuk ndryshon, për të rritur 4 dhe 2 për fëmijë. Pastaj edhe shezlonët do të kenë një shumë simbolike që do të jetë 5 euro për dy sish apo tek VIP 8 euro, që mund të akomodohen më shumë persona”, shton Mula.

Pishina e Gërmisë do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit gusht.

Të ngajshme

Ndotja e ajrit rrit rrezikun e tumoreve jo kancerogjene të trurit, zbulon studimi

Erzana Fazliu

Shtabet e Forcave të Kosovës dhe Shqipërisë takohen për të hartuar plan bashkëpunimi për periudhën 2025 -2028

KushtrimGuraj

Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan nesër vjen në Kosovë

KushtrimGuraj