Në rrugën Gjakovë–Dollc, një aksion simbolik i pazakontë tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të dielën.
Protestuesi Ideal Zhaveli vendosi një tortë pranë punimeve të rrugës, me mbishkrimin “Urime 7 vjet”, duke ironizuar zvarritjen e gjatë të projektit që ende nuk ka përfunduar.
Krahas tortës, ai kishte vendosur edhe një balonë me numrin 7 në një tabelë komunikacioni, si simbol i shtatë vjetëve që nga nisja e ndërtimit të kësaj rruge, e cila lidh qytetin e Gjakovës me zonën e Dollcit dhe shërben si segment i rëndësishëm i qarkullimit drejt Prishtinës.
Projekti ishte paralajmëruar se do të përfundonte në vitin 2024, por edhe në mars të vitit 2026 punimet vazhdojnë dhe fundi i tyre ende nuk duket. Përmes këtij aksioni simbolik, Zhaveli synoi të rikthejë në vëmendje vonesat dhe pakënaqësinë e qytetarëve për gjendjen e rrugës.
KosovaPress kontaktoi me Ideal Zhavelin dhe sipas tij gjatë viteve ka pasur disa reagime dhe premtime nga institucionet lidhur me përfundimin e rrugës Gjakovë–Dollc, por afatet e paralajmëruara nuk janë realizuar. Ai tha se fillimisht ishte premtuar përfundimi i projektit në vitin 2024, më pas ishte përmendur edhe viti 2025, ndërsa tashmë jemi në vitin 2026 dhe punimet ende nuk kanë përfunduar.
“Sot bëhen 7 vjet prej kur ka filluar ndërtimi i rrugës Gjakovë–Dollc, apo pjesa që përdoret për rrugën Gjakovë–Prishtinë. Nëse e shohim gjendjen e sotme, ajo është në një gjendje të tmerrshme dhe nuk mund t’i bësh as 5 kilometra pa hasur dëmtime rrugore, madje dëmtime shumë serioze. Rruga nuk ka arritur të përfundojë, pavarësisht se në momentin kur është prerë shiriti është thënë se do të përfundonte për 5 vjet, ndërsa tani janë bërë 7 vjet dhe ende nuk ka përfunduar, madje as nuk i shihet fundi momentalisht”, u shpreh Zhaveli.
Ai bëri të ditur se aksioni i fundit është pjesë e një serie reagimesh simbolike që ka organizuar në vitet e fundit, duke theksuar se këtë vit është hera e tretë që ndërmerr një iniciativë të tillë, kryesisht në mënyrë individuale.
“Janë aksione simbolike personale që i kam parë të nevojshme dhe të arsyeshme për të reaguar në këto forma ironike, për shkak se është shumë ironike që një rrugë me më pak se 30 kilometra të zgjasë 7 vite dhe ende të mos përfundojë”, tha Zhaveli.
Ideal Zhaveli tha se gjatë përpjekjeve për të siguruar dokumente dhe informacione nga institucionet përgjegjëse, komunikimi me institucionet ka qenë i kufizuar.
Sipas tij, fillimisht nga Ministria e Infrastrukturës i ishte premtuar se dokumentet do të dërgoheshin, por më pas ishte marrë një vendim që ato të mos bëhen publike për shkak të proceseve gjyqësore me një ose disa kompani të përfshira në projekt.
Ai shtoi se sipas informacioneve që kanë marrë, pritet që të hapen kontrata dhe tenderë të rinj për këtë rrugë.
Zhaveli paralajmëroi se reagimet mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë edhe profesionistë nga fusha të ndryshme. Ai theksoi se aksioni i së dielës nuk do të jetë i fundit dhe se priten edhe forma të tjera reagimi publik nëse nuk ka zhvillime konkrete në përfundimin e projektit.

