Në ambiente me lagështi e ndryshk, laborantët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kryejnë mijëra analiza në ditë – të gjakut, të pështymës, të urinës e të tjera.
Inventari i dëmtuar dhe mungesa e ventilimit ua vështirësojnë punën edhe më shumë, edhe pse aparaturat janë kryesisht të reja.
“Nuk kemi as ku t’i vendosim mostrat për analiza. Jemi shumë ngushtë”, thotë një infermiere e laboratorit të Internes në Klinikën e Biokimisë, që nuk do të identifikohet.

Biokimia ka nën menaxhim 12 laboratorë që janë të shpërndarë në klinika të ndryshme të QKUK-së.
REL-i vizitoi disa nga ta – në Klinikën e Pediatrisë, të Infektives, të Dermatologjisë e të tjera.
Në Pulmologji pa se laboratori ishte improvizuar në një korridor, ndërsa frigoriferi ku ruheshin mostrat ishte i vogël dhe i ndryshkur.

Në Pediatri, përveç aparaturës për analiza që është e re, ambienti i punës dhe inventari duken tejet të vjetër.
“Shpesh, në hapësirat e ngushta ku punojmë, jemi tre ose më shumë teknikë e laborantë”, thotë një punonjëse e laboratorit aty.

Në laboratorin e Emergjencës, mungesa e hapësirave bën bashkë epruvetat, dokumentet e papuçet e stafit.

Ndërsa në Infektive, dollapi ku ruhen dokumente, duket se mezi qëndron.

Për shkak të kushteve të këqija, Klinika e Kardiologjisë ka më shumë se nëntë muaj që e ka zhvendosur laboratorin e saj në Klinikën e Biokimisë.
Në Kardiologji merren vetëm mostrat, ndërsa në Biokimi kryhen analizat.
Një infermiere thotë se stafit i duhet të endet dhjetëra herë në ditë në mes të dy klinikave.

Drejtori i Klinikës së Biokimisë, Shemsi Veseli, thotë se të gjithë laboratorët “janë lënë nën mëshirën e kohës”.
“Në shumicën e tyre nuk ka ventilim, nuk ka ndriçim e nuk duhet të ketë as lagështi… Unë e kuptoj se nuk mund të ketë investime të shpejta e të shtrenjta, por inventarë duhet të kemi, tavolina e karrige”, thotë Veseli për Radion Evropa e Lirë.

Dy lavamanë pa rubinetë dhe pa sapun, të vendosur pranë tavolinave të punës së laborantëve në Klinikën e Kirurgjisë
Pavarësisht kushteve të tilla prej vitesh, Veseli siguron se rezultatet e analizave janë gjithmonë të sakta.
“Ato nuk mund t’i kontestojë askush, faktet flasin. Vitin e kaluar kemi pasur mbi dy milionë analiza”, thotë Veseli.