Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se problemi i qenve endacakë në kryeqytet po zgjidhet, teksa ka njoftuar për përurimin e Qendrës për Trajtimin e Qenve Endacakë.
Ai ka thënë se shumë shpejt do të fillojë bartja e qenve endacakë nga rrugët e Kryeqytetit në këtë Qendër për trajtim, e më pas në pjesën e poshtme të Qendrës ku po finalizohet pjesa e strehimit për rreth 350 qen.
Sipas Ramës, kjo Qendër do të ketë një rol të rëndësishëm në sigurinë e qytetarëve duke reduktuar numrin e qenve në rrugë dhe duke u kujdesur për mirëqenien e tyre.
“Qentë do të mbahen në pjesën e strehimit deri në adoptimin e tyre. Siç është në dijeni opinioni, qentë të cilët adoptohen do të trajtohen falas në këtë Qendër për tërë jetëgjatësinë e tyre, si dhe pronarët do të marrin nga 50 euro në muaj për secilin qen të adoptuar nga Kryeqyteti”, ka shkruar Rama.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të bëj prioritet trajtimin e problemit të qenve endacakë në nivel të Kosovës duke mbështetur komunat me resurse financiare dhe të tjera.
“Pa një angazhim të tillë, problemi nuk mund të zgjidhet në nivel nacional. Kryeqyteti do të vazhdojë të punojë për krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet në postimin e tij.