Pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Franca ka bërë të ditur se vazhdon të qëndrojë në mbështetje të pavarësisë së Kosovës dhe institucioneve të saj.
Në një deklaratë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës thuhet se autoritetet franceze janë informuar për aktgjykimin në çështjen “Thaçi dhe të tjerët”.
Parisi ka vënë në dukje se vendimi nuk është përfundimtar, pasi ndaj tij mund të paraqitet ankesë.
Sipas ministrisë, përfundimi i këtij procesi shënon mbylljen e procedurave të shkallës së parë në Dhomat e Specializuara, ndërsa veçmas mbeten rastet që kanë të bëjnë me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Franca ka shprehur ndërkohë mbështetjen e saj për punën e Dhomave të Specializuara dhe ka theksuar angazhimin për luftimin e pandëshkueshmërisë.
“Franca përsërit mbështetjen e saj për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe rikujton angazhimin e saj në luftën kundër pandëshkueshmërisë”, thuhet në deklaratë.
Në të njëjtin qëndrim, Franca ka rikonfirmuar edhe mbështetjen për “pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj”.
Reagimi francez është bërë pas vendimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, për të cilët gjykata shqiptoi dënime të ndryshme me burgim.
Thaçi dhe Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Veseli me 18 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet.

