Telenews

SHBA-ja do që ta ndryshojë hartën energjetike të Ballkanit, Kosova aktualisht jashtë planeve

Shtetet e Bashkuara duan ta ndryshojnë mënyrën se si furnizohet me energji Ballkani Perëndimor, duke bërë një rrjet marrëveshjesh për importin e gazit të lëngshëm (LNG).

Qëllimi është të ulet varësia e rajonit nga Rusia dhe të forcohet korridori energjetik nga jugu drejt Evropës Qendrore.

Për këtë, janë planifikuar projekte në disa vende të rajonit – nga Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, deri në Kosovë dhe në Serbi.

Këto projekte përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale për gazin e lëngshëm dhe termocentrale me gaz, dhe mbështeten politikisht dhe financiarisht nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Disa nga këto projekte janë tashmë në fazë ndërtimi ose në proces kontraktimi, ndërsa të tjerat janë ende në fazën e planifikimit.

Në përgjithësi, sistemi energjetik rajonal është duke u orientuar gradualisht drejt gazit natyror nga SHBA-ja, Azerbajxhani dhe Mesdheu.

Jonathan Stern, profesor në Institutin Oxford për Studime Energjetike, vlerëson se Evropa Juglindore tashmë ka zhvilluar rrugë alternative të furnizimit.

“Ekzistojnë terminale të LNG-së në Greqi dhe Kroaci, dhe Korridori Jugor i Gazit nga Azerbajxhani, së bashku me fushën rumune të gazit Neptun Deep në Detin e Zi, shfrytëzimi i së cilës pritet të fillojë vitin e ardhshëm dhe rezervat e së cilës vlerësohen në 100 miliardë metra kub”, thotë Stern për Radion Evropa e Lirë.

Me mënyrën e re të SHBA-së, parashihet fundi i varësisë së Bosnje dhe Hercegovinës nga Rusia, një partneritet strategjik Serbi-SHBA, terminali i LNG-së në Tivar dhe termocentralet me gaz, Maqedonia e Veriut si hallkë kyçe e Korridorit Jugor, si dhe Shqipëria që do të jetë qendra e LNG-së në Adriatik.

Kosova aktualisht jashtë planeve

Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit dhe mbështetet plotësisht në termocentralet me qymyr.

Projekti për një interkonektor gazi me Maqedoninë e Veriut është përfshirë më herët në planin investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por është ndalur për shkak të, siç kanë thënë nga Qeveria, kostove të larta dhe fokusit strategjik në burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Tubacioni do t’i jepte Kosovës qasje në gaz nga terminalet greke të LNG-së në Detin Egje, dhe ideja ishte të ndërtohej edhe një tubacion drejt Shqipërisë.

“Nëse dhe kur kushtet e tregut ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës, Departamenti i Energjisë [i SHBA-së] do të jetë i gatshëm të ndihmojë në lidhjen e kompanive amerikane me partnerët në Kosovë”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Joshua Volz, i dërguar i posaçëm i Departamentit amerikan të Energjisë.

Kosova ka refuzuar të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) dhe i ka devijuar fondet në sistemet e ruajtjes së energjisë në bateri.

Të ngajshme

Studentët nga Shqipëria bllokohen në kufi, nuk u lejohet të hyjnë në Maqedoninë e Veriut

Valjeta Turkaj

Punëtorët teknikë të shkollave në Prishtinë nga nesër në grevë, shkak pagat

Valjeta Turkaj

Malisheva nis luftën me rriqrat, dezinsekton zonat ku mund të ketë kësi parazitë

Valjeta Turkaj