Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier shprehu zhgënjimin e tij me aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, gjatë të cilit u mbyllën disa institucione financiare serbe.
Hovenier, gjatë një takimi që realizoi me gazetarët bashkë me zëvendës-ndihmëssekretaren e Shtetit, Nicole Chulick, tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.
Chulick, në anën tjetër, shtoi se një prej arsyeve përse gjendet në Kosovë, është për të treguar mbështetjen e SHBA-së për një Kosovë demokratike, të begatë dhe multietnike.
Ajo theksoi se është e rëndësishme që Qeveria të angazhohet në mënyrë më aktive me pjesëtarët e komuniteteve pakicë dhe t’i përfshijë ata në procesin e politikëbërjes.
“Kosova është shtëpi e shumë serbëve etnikë dhe ata meritojnë t’i mbajnë familjet dhe bizneset e tyre këtu”, tha Chulick.
Sipas saj, Qeveria e Kosovës duhet të punojë për të gjithë qytetarët e Kosovës, “pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo dallimet e tyre”.
Chulick tha, po ashtu, se SHBA-së i vjen keq që Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – nuk mori pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri, më 21 prill.
“Ne do të donim që ata të përfitonin nga mjetet demokratike që i kanë në dispozicion”, tha ajo.
Chulick theksoi se SHBA-ja mbetet e shqetësuar nga trajtimi i pakicave në Kosovë dhe tha se do të vazhdojë të punojë në këtë çështje.
Sipas saj, një nga përfitimet e të qenët pjesë e Këshillit të Evropës do të ishte “respekti më i madh për qytetarët e pakicave dhe gjithashtu qasja në procese ndërkombëtare, përmes të cilave Kosova mund të adresojë çështje të tilla si: përfshirja e pakicave dhe pjesëmarrja e plotë në qeverinë dhe demokracinë e vendit të tyre – për shembull përmes Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.
Javën e kaluar, Kosova mbeti jashtë agjendës së Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës – ku do të duhej të merrej vendimi përfundimtar për pranimin e saj – për faktin se nuk ndërmori hapa për ta çuar përpara çështjen e Asociacionit. /REL

