Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në reagimin e saj, presidentja ka shprehur shqetësime për respektimin e të drejtave të palëve në këtë proces gjyqësor, duke theksuar se çdo institucion, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara, duhet të veprojë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
“Çdo institucion i Republikës së Kosovë, duke përfshirë edhe Dhomat e Specializuar, duhet të veprojë në pajtim me juridiksionin që ka në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duhet të respektojë të drejtat që i përmban Kapitulli II i Kushtetutës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që janë të garantuara me Nenin 22 të Kushtetutës”, thuhet në reagimin e saj.
Shiroka Pula ka theksuar se çdo proces gjyqësor duhet të garantojë gjykim të drejtë, respektim të procedurave ligjore dhe të drejtave të të akuzuarve.
“Aktgjykimi i sotëm i Dhomave të specializuara ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve”, thuhet më tej në reagim.
Ajo ka ritheksuar përkushtimin e Kosovës ndaj drejtësisë dhe sundimit të ligjit, duke shprehur pritjen që edhe Dhomat e Specializuara të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, përfshirë edhe gjatë procedurave të ankimit.
Në fund, presidentja ka vënë në pah edhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe sakrificën e popullit të Kosovës.
“Njëkohësisht, Presidentja thekson se kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe sakrifica e popullit të Kosovës, janë pjesë e historisë sonë dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga procese gjyqësore.”

