Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Andin Shala, i akuzuar për fajde.
Në aktgjykim, Gjykata i ka shqiptuar Shalës gjashtë muaj burgim, dënim i cili është zëvendësuar me 700 euro gjobë.
Ndërsa për veprën penale ‘Kanosje’, Shala është dënuar me 300 euro gjobë.
Sipas aktgjykimit, 26-vjeçari në muajin janar ka pranuar një shumë joroporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të tij. I dëmtuari G.K., i kishte kërkuar Shalës 2 mijë euro para borxh, prej të cilave i kishte marrë vetëm 1 mijë e 500, ndërsa 500 euro i kishte ndalur i akuzuari në emër të kamatës.
Shala i kishte kërkuar të dëmtuarit që çdo muaj të paguante nga 400 euro si kamatë mujore, duke ia marrë 2 mijë e 800 euro në emër të kamatës.
Përpos kësaj, 26-vjeçari e kishte kanosur seriozisht të dëmtuarin, duke i shkaktuar atij frikë, ankth e pasiguri.
Për shkak të situatës në të cilën ndodhej, Sinjali merr vesh se viktima ka tentuar dy herë edhe t’i jap fund jetës, si pasojë e problemeve që ia kishte shkaktuar i dyshuari, duke ia kërkuar të hollat. Madje, për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari e ka kërcënuar viktimën edhe përmes personave të tjerë, me ç’rast i kishte çuar selame për borxhin që ia mori.
Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për arrestimin e Andin Shalës, në korrik të këtij viti.
Detajet e rastit mund t’i gjeni në linkun e mëposhtëm.

