Telenews

Shqetësimet e EULEX: Hapja e Urës së Ibrit mund të ketë implikime serioze në siguri

Shefi i misionit të EULEX-it në Kosovë, deklaron se situata e sigurisë në vend është e brishtë dhe se ka shqetësime për tensione të mundshme.

Sipas tij, agresioni në Banjskë dëshmoi brishtësinë dhe cenueshmërinë e vendit, për çka shprehet se duhet të ketë edhe vëmendje të veçantë nga institucionet. Misioni i EULEX-it pret nga Serbia që të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin në Banjskë.

Në intervistën për KosovaPress, Barbano flet edhe për iniciativën e hapjes së Urës së Ibrit, për çka konsideron se ka implikime serioze në siguri.

Vëmendje të veçantë, shton ai, duhet të ketë Banjska e Zveçanit. Shefi i misionit të EULEX-it, thotë se janë duke bërë patrullime në veri të vendit, gjithashtu se janë të gatshëm të reagojnë me kërkesë të autoriteteve të Kosovës.

Teksa komenton agresionin serb në Banjskë të Zveçanit, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Giovanni Pietro Barbano pret që Serbia të mbajë përgjegjës ata që kryen agresionin. Ai nuk komenton deklarimet e institucioneve vendore për baza ushtarake të Serbisë në kufi me Kosovën, veçse shton se kjo i përket KFOR-it.

Situatë fatkeqe e konsideron bojkotin e serbëve në katër komunat në veri të vendit në procesin zgjedhor për shkarkimin apo jo të kryetarëve. Barbano deklaron se janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë, ani pse respektojnë pavarësinë e institucioneve të Kosovës.

Iniciativa për hapjen e Urës së Ibrit në Mitrovicë, ai deklaron se duhet të trajtohet në kuadër të dialogut.

“Kjo është diçka që duhet trajtuar në kuadër të dialogut, natyrisht, është një aspekt për të cilin ne jemi të shqetësuar sepse mund të ketë implikime serioze në siguri. Dhe ne presim që mençuria të përdoret në këtë drejtim”, deklaron ai.

Në intervistën për KosovaPress, shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Barbano thotë se ka përmirësim dhe zhvillim në institucionet e drejtësisë.

source

Të ngajshme

Rezultatet e zgjedhjeve në BE: Paralajmërim negativ për integrimin evropian dhe dialogun Kosovë-Serbi

E trishtë: Kjo është gruaja 45-vjeçare që i dha fund jetës në shtëpinë e saj në Prizren

Kurti fajësoi opozitën se po i shtynë zgjedhjet, Bajrami: Lojë e dështuar