Spotify ua lehtëson krijuesve fitimet, zbulon 10 miliardë dollarë shpenzime për podkaste
Spotify po zgjeron programin e saj të monetizimit për krijuesit dhe po prezanton mjete të reja për podkasterët e videove, ndërsa synon të konkurrojë më mirë me YouTube dhe Netflix në tregun në lulëzim.
Kompania suedeze e transmetimit, tha të mërkurën se ka investuar më shumë se 10 miliardë dollarë në industrinë e podkasteve gjatë pesë viteve të fundit për të rritur fitimet e krijuesve, për të shkallëzuar angazhimin dhe për të ndërtuar infrastrukturë.
Tani po ul pragjet për t’u bashkuar me programin e saj të monetizimit, një vit pasi u lansua iniciativa.
“Që nga lansimi i programit, konsumi mujor i podkasteve video në Spotify është pothuajse dyfishuar”, tha kreu global i podkasteve të Spotify, Roman Wasenmuller, në një konferencë për mediat.
“Përdoruesi mesatar i podkasteve të Spotify transmeton dy herë më shumë shfaqje video në muaj sesa para lançimit”, shtoi ai.
Ky veprim vjen në një kohë kur platformat po kërkojnë krijuesit e podkasteve video në një përpjekje për të shfrytëzuar kërkesën në rritje për përmbajtje të tillë, si dhe angazhimin më të lartë që ofron.
Krijuesit e Spotify tani mund të kualifikohen për programin me 1,000 anëtarë të audiencës së angazhuar, 2,000 orë të konsumuara gjatë 30 ditëve të fundit dhe tre episode të publikuara, krahasuar me kërkesën e mëparshme prej 2,000 dëgjuesish, 10,000 orësh të konsumuara dhe 12 episode të publikuara.
Kompania tha se krijuesit në program mund të fitojnë nga reklamat në nivele falas dhe platforma të tjera, por krijuesit e videove marrin një rrjedhë shtesë të ardhurash, pasi paguhen direkt nga Spotify kur abonentët premium shikojnë videot e tyre pa reklama.
Spotify gjithashtu do të lansojë mjete të reja për menaxhimin e sponsorizimeve në prill, dhe do t’u lejojë krijuesve të publikojnë dhe të fitojnë para lehtësisht nga podkastet video direkt nga platformat e palëve të treta të pritjes, duke përfshirë Acast, Audioboom dhe Libsyn.
Ajo gjithashtu zbuloi Spotify Sycamore Studios, i cili do të jetë shtëpia e re për podkastet The Ringer dhe do të jetë në dispozicion të krijuesve të zgjedhur.
Krahas ambienteve të saj në Londër dhe Nju Jork, ky veprim do t’i ndihmojë krijuesit të shmangin kostot e marrjes me qira të ambienteve, tha për Reuters kreu i partneriteteve të përmbajtjes së Spotify, Jordan Newman.

