Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje partive opozitare që të pranojnë ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëpunim, me qëllim të zhbllokimit të ngërçit politik dhe funksionalizimit të institucioneve të reja.
Duke komentuar pezullimin e bisedimeve ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve të reja, pas zhvillimeve të fundit brenda LDK-së, Sveçla tha se Vetëvendosje ka dëshmuar vazhdimisht gatishmërinë për të gjetur zgjidhje.
“Në vazhdimësi kemi ofruar opsione për të dalë nga kjo situatë, e cila është produkt i një vendimi shumë të çuditshëm dhe të padrejtë të Gjykatës Kushtetuese, ku na duhet patjetër kuorumi prej dy të tretave të Kuvendit për zgjedhjen e presidentit. Ne shpresojmë që subjektet politike opozitare do të marrin qëndrime drejt asaj që të zhbllokojnë këtë situatë, realisht dorën e shtrirë të Vetëvendosjes ta shtrëngojnë dhe të ecim para drejt konsolidimit të institucioneve dhe pastaj edhe drejt përmbushjes të asaj për çka qytetarët na kanë votuar”, deklaroi Sveçla në një intervistë për A2 News.
Javën e kaluar, kryeministri në detyrë Albin Kurti zhvilloi takime me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun.
Pas takimit me Kurtin, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ritheksoi se partia e tij do të mbetet në opozitë. Ndërkaq, pas takimit me Abdixhikun, të dy palët u shprehën optimiste dhe të gatshme për vazhdimin e dialogut. Megjithatë, dy ditë më parë, Lumir Abdixhiku njoftoi pezullimin e bisedimeve me Kurtin, për shkak të zhvillimeve të brendshme në LDK, ku atij një pjesë e anëtarësisë po ia kërkojnë largimin nga drejtimi i partisë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit nuk do të mbahet gjatë muajit korrik, porse datën do ta bëjë publike së shpejti..
Ndërkohë, sipas afateve kushtetuese, Kuvendi i ri duhet të konstituohet më së largu deri më 7 gusht.

