Të paktën 100 persona mund të kenë humbur jetën pas një rrëshqitjeje dheu në një minierë ari në Republikën e Afrikës Qendrore, kanë bërë të ditur burime lokale për agjencinë e lajmeve AFP.
Ngjarja ka ndodhur të martën në zonën e minierave Zamboye, pranë kufirit të Republikës së Afrikës Qendrore me Kamerunin.
Operacionet e kërkim-shpëtimit janë ende duke vazhduar, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një bilanc zyrtar të viktimave, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Laurent Ngon Baba, një zyrtar i zgjedhur nga qyteti i Babouas, ka thënë për AFP-në se në këtë fazë është e vështirë të përcaktohet numri përfundimtar i viktimave.
Sipas prokurorit publik të Babouas, incidenti dyshohet se është shkaktuar nga “shembja e disa tuneleve nëntokësore në të cilat po punonin minatorët”.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale duket se tregojnë një masë të madhe dheu që shkëputet nga një pjesë e minierës dhe rrëshqet drejt një grupi njerëzish, duke varrosur disa prej tyre.
Një minator që ndodhej në vendngjarje e ka përshkruar incidentin si “katastrofik”.
“Dheu u shemb plotësisht dhe varrosi njerëz”, ka thënë ai.
Ndërkohë, guvernatori i rajonit lindor të Kamerunit, Gregoire Mvongo, tha për radion shtetërore CRTV se Kameruni po bashkëpunon ngushtë me autoritetet e Republikës së Afrikës Qendrore për t’u përballur me pasojat e kësaj tragjedie.
Kërkimet për personat që mund të kenë mbetur të bllokuar në minierë vazhdojnë.

