Ahmet Yaman, presidenti i Yeni Malatyaspor, një prej skuadrave të Ligës së Parë të Spor Toto, njoftoi se skuadra e tij së shpejti do të tërhiqet nga liga, pasi sipas tij nuk ka kushte të luhet futboll në këto momente të vështira për Turqinë.
Pas fatkeqësisë së tërmetit, ligat e futbollit u shtynë për 1 javë me vendim të Federatës. Pas zhvillimeve, presidenti i Yeni Malatyaspor, Ahmet Yaman deklaroi se do të mblidhen me bordin e drejtorëve dhe do të vendosin të tërhiqen nga liga.
“Ka një shkatërrim të madh. Ne as që mund të mendojmë për ndeshjen tani. E kemi llogaritur tërheqjen nga liga dhe do ta raportojmë”, tha ai për A Haber.
“Nuk planifikojmë të vazhdojmë në ligë për momentin. Miqtë tanë futbollistë janë vendosur në qytete të tjera. Objektet tona janë të papërdorshme. Na duhen 7-8 muaj. Deri atëherë do të marrim një vendim të qartë dhe do ta vlerësojmë pasi plagët janë shëruar”, përfundoi ai.

