Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që po akuzohet për krime lufte nga Specialja, ka mohuar pretendimet e Prokurorisë.
Ai ka thënë se është tërësisht i pafajshëm e se i vjen keq për të gjitha viktimat. Thaçi ka thënë se është i kënaqur që procesi ka dëshmuar se s’ka pasur trafikim organesh nga UÇK-ja.
Ndërsa Prokuroria Speciale e Hagës në një moment kan thënë se Thaçi kishte qenë disa herë fshehurazi në Hagë për të dëshmuar para Prokurorisë.
Sot ish-presidenti Thaçi ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve duke mohuar se një gjë e tillë është e vërtetë.
Thaçi tha sot se bashkëpunimi i tij ka qenë në interes të drejtësisë.
“Unë jam intervistuar nga gjithë mekanizmat ndërkombëtar, qoftë si dëshmitar apo i dyshuar. Çdo bashkëpunim i imi ka qenë në interes të drejtësisë, dhe plotësisht transparent, qoftë në Prishtinë qoftë në Hagë. Gjithçka çka thuhet tjetër është e paqëndrueshme”, ka thënë Thaçi gjatë fjalës së tij sot.
Prokurori i Specializuar, Alex Whiting dje ka deklaruar se Hashim Thaçi ka dëshmuar disa herë fshehurazi në Hagë.

