Plot 189 transferime janë realizuar në Ligën Premier para dhe gjatë edicionit 2025/26, por sipas mediumit të njohur sportiv “The Athletic”, lëvizja më e goditur e sezonit është transferimi i Granit Xhakës te Sunderlandi.
Ky vlerësim është pasqyruar edhe nga televizioni zviceran SRF, i cili e ka cilësuar si një nder të madh për mesfushorin 33-vjeçar, duke theksuar se transferimi i tij është renditur i pari pas një votimi, ku kanë mbetur prapa emra si Rayan Cherki (Manchester City) dhe Michael Kayode (Brentford).
Sipas “The Athletic”, arsyeja kryesore pse Xhaka është veçuar si “transferimi i sezonit” nuk lidhet vetëm me shifrat apo emrin, por me ndikimin e tij të drejtpërdrejtë në skuadër.
“Edhe lojtarë gjenialë si Cherki nuk e kanë transformuar ekipin në mënyrën që e ka bërë Xhaka. Ai solli një kulturë të re në klub, brenda dhomës së zhveshjes dhe në gjithë qytetin”, shkruan mediumi britanik.
“The Athletic” ka vlerësuar veçanërisht përvojën, cilësitë e lidershipit dhe gatishmërinë e tij për të kontribuar si në fazën mbrojtëse ashtu edhe në atë sulmuese.
Xhaka u transferua verën e kaluar nga Bayer Leverkusen dhe menjëherë mori shiritin e kapitenit, duke u bërë figura kryesore e projektit të trajnerit Régis Le Bris.
Me Xhakën në krye, Sunderlandi – i sapongjitur në elitë – e mbylli sezonin në vendin e shtatë, duke siguruar kualifikimin në Ligën e Evropës.
Për klubin anglez, ky është një rikthim historik në arenën evropiane, pasi hera e fundit kur kishte luajtur në Evropë ishte në edicionin 1973/74, në Kupën e Fituesve të Kupave, ku ishte eliminuar në raundin e dytë nga Sporting Lisbona.
Pas këtij sezoni të madh në Angli, Xhaka gradualisht e kthen fokusin te Botërori 2026, ku pritet të jetë sërish kapiten dhe lider i Zvicrës. Turneu që mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të jetë Botërori i katërt për mesfushorin.

