Trajneri i Napolit, Luciano Spalletti e ka çuar në qiell Amir Rrahmanin.
Trajneri italian e sheh futbollistin kosovar si njërin prej liderëve të ekipit të tij në sezonin e ri, mbi të gjitha pas largimit të disa prej lojtarëve të rëndësishëm.
“Nevojitet kohë për t’u rritur liderë të rinj. Por, ne tashmë i kemi disa të tillë si Rrahmani, Di Lorenzo e Anguissa”, deklaroi Spalletti për “DAZN”.
Napoli synon të jetë protagonist edhe në sezonin e ri të Serie A.
Edhe në edicionin e kaluar, përfaqësuesi kosovar ishte njëri prej lojtarëve kryesorë të Napolit, duke u rritur mbi të gjitha pasi punoi me trajnerin Spalletti.
Pas largimit të Kalidou Koulibalyt, Rrahmani është bërë lider i mbrojtjes, por mund të jetë edhe lider i krejt ekipit.
Edhe pse flitej për një interesim eventual të Manchester United për shërbimet e tij, ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit dhe i Veronës vendosi të qëndrojë në Napoli, e madje në muajt në vazhdim pritet edhe ta vazhdojë kontratën.