Telenews

Tentoi ta mbyste ish-partneren duke e goditur me veturë, kosovari dënohet me burg të përjetshëm në Gjermani

Një 28-vjeçar me prejardhje nga Kosova ka apeluar vendimin e një gjykate në Gjermani, e cila e dënoi atë me burgim të përjetshëm pasi u shpall fajtor për tentim vrasjeje ndaj ish të dashurës së tij.

Sipas mediave gjermane, vendimi është marrë më 28 maj nga Gjykata Rajonale e Neubrandenburgut, ndërsa apelimi është konfirmuar nga zëdhënësi i gjykatës për mediumin “Nordkurier”. Rasti tashmë do të shqyrtohet nga Gjykata Federale e Drejtësisë.

28-vjeçari, shtetas gjerman me prejardhje nga Kosova, akuzohet se më 23 janar 2025 kishte tentuar ta vriste ish të dashurën e tij 44-vjeçare duke e goditur me veturë në trafikun rrugor në Friedrich-Wilhelm-Raiffeisen-Strase, në lindje të qytetit Waren (Muritz).

Sipas raportimit të “Nordkurier”, ai kishte drejtuar qëllimisht automjetin në korsinë e kundërt, pasi kishte vërejtur ish-partneren e tij në automjetin e saj. Gjykata ka konstatuar se marrëdhënia mes tyre kishte qenë e mbushur me konflikte dhe se në javët paraprake ai e kishte fyer dhe kërcënuar me vdekje përmes mesazheve.

Gjykata e shpalli atë fajtor për tentativë vrasjeje, lëndim të rëndë dhe të rrezikshëm trupor, si dhe për ndërhyrje të qëllimshme dhe veçanërisht të rrezikshme në trafikun rrugor.

Gjatë procesit gjyqësor, i pandehuri kishte zgjedhur të mos deklarohej lidhur me akuzat. Sipas gjykatës, ai kishte shprehur keqardhje vetëm në fjalën e tij përfundimtare, drejtuar familjes së viktimës.

Pas aksidentit, gruaja 44-vjeçare ka mbetur në gjendje të vazhdueshme vegjetative dhe, sipas vlerësimit të gjykatës, dyshohet se ka pësuar dëmtime të pakthyeshme në tru.

Të ngajshme

Tentoi të grabiste një banesë, shqiptari vritet me armë zjarri në Itali –

KushtrimGuraj

“Diaspora shqiptare me UÇK-në”, protestë edhe në Kanada kundër aktgjykimit të Speciales –

KushtrimGuraj

Zvicra drejt heqjes së statusit “i divorcuar” nga dokumentet zyrtare –

KushtrimGuraj