Telenews

“Ukraina nuk do e njohë kurrë Kosovën”, Rama reagon pas deklaratës së Zelenskyt në Beograd: Nuk llogarisim kush i ka borxh kujt, Kievi është gabim për Prishtinën

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd se Ukraina nuk do ta njohë Kosovën, duke mbrojtur vijimin e mbështetjes së Shqipërisë për Ukrainën pavarësisht qëndrimit të Kievit për Kosovën.

Në një reagim në rrjetin social X, Rama kritikon ata që, sipas tij, kërkojnë të ndryshojnë qëndrimin ndaj Ukrainës si kundërpërgjigje ndaj mosnjohjes së Kosovës.

“Ukraina mund të jetë, dhe po, gabon për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme”, shkruan Rama.

Kryeministri thekson se mbështetja ndaj Ukrainës nuk duhet të shihet si një marrëdhënie shkëmbimi, ku një qëndrim ndryshon në varësi të interesave të momentit.

“Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe për një paqe të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen”, shprehet ai.

Rama shton se Shqipëria është mjaftueshëm e rritur për të mbajtur njëkohësisht dy qëndrime: të kundërshtojë pozicionin e Ukrainës për Kosovën dhe të vijojë mbështetjen për të drejtën e Ukrainës për të qenë e lirë.

Në fund të reagimit, kryeministri e mbyll me një mesazh të qartë: “Ukraina e lirë. Sot, nesër dhe gjithmonë.”

Postimi i plotë: “Miku im i dashur Volodymyr Zelensky ishte në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët folklorikë më të zhurmshëm në Tiranë dhe Prishtinë kishin nxjerrë tashmë kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të mos brohorasim më për lirinë dhe të mos vajtojmë më për ata që bombardohen. Më të pamaturit mes tyre na sulmuan edhe ne pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë!

Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk është një marrëdhënie shkëmbimi.

Të qëndrosh kundër një lufte agresioni dhe në mbështetje të një paqeje të drejtë nuk është një faturë që e gris kur viktima e një agresioni barbar të zhgënjen. Nuk është një nder që shkëmbehet me një nder, por është ajo që ti je dhe ajo për të cilën qëndron në këtë botë të trazuar. Dhe, për fat të mirë, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që bën hesapet se kush i detyrohet kujt, por Europa e Ballkanit, që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj.

Ukraina mund të jetë , dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Europën, edhe për veten tonë. Këto të vërteta mund të qëndrojnë fare mirë në të njëjtën fjali. Shqipëria është mjaftueshëm e pjekur për t’i mbajtur të dyja dhe do t’i mbajë të dyja.

Prandaj, po: UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë”.

Të ngajshme

Tahiri: Mbyllja e dyerve të Kuvendit, tregues i qasjes autoritare të pushtetit

Yllka Gashi

Zemaj: Kemi një ngërç kushtetues dhe bllokadë në Kuvend

Yllka Gashi

Quni: LDK-ja përmbahet nga situatat që mund të gjenerojnë incidente

Yllka Gashi