Një gazetar është vrarë çdo katër ditë në dy vjetët e fundit, sipas raportit më të ri të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Kulturë dhe Shkencë (UNESCO).
Raporti është publikuar të shtunën në ditën kur shënohet Dita ndërkombëtare për dhënie fund të pandëshkueshmerisë për krimet kundër gazetarëve.
Prej 162 vrasjeve të gazetarëve më 2022 dhe 2023, të verifikuara nga organizata me bazë në Paris, më shumë se gjysma janë kryer në një shtet të prekur nga konflikti i armatosur.
Shumë profesionistë të mediave kanë vdekur nëpër vendlindjet e tyre, sipas raportit.
Ata që kanë vdekur në shtetet pa konflikte, janë vrarë për shkak të fokusit në krim të organizuar dhe korrupsion, apo duke raportuar prej protestave, sipas raportit që publikohet çdo dy vjet, dhe analizon sigurinë e gazetarëve në mbarë botën.
Në raport është thënë se 162 vrasjet e verifikuara të gazetarëve më 2022-23 përbëjnë
“rritje prej 38 për qind në krahasim me periudhën paraprake, kur UNESCO ka regjistruar 117 raste të vrasjeve. Kjo periudhë përbën edhe numrin më të madh të vrasjeve prej periudhës 2016-2017”.

