Enver Duriqi, të cilit ia vranë katër fëmijët, bashkëshorten dhe dy prindërit në luftën e fundit në Kosovës, ka vdekur të martën.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, i cili Duriqin e quajti “zëri i së vërtetës dhe drejtësisë”.
“Me dhimbje dhe respekt të thellë ndahemi nga Enver Duriqi, një njeri i cili, përkundër tragjedisë së pamasë që përjetoi, nuk reshti së luftuari për drejtësi dhe të vërtetën. Gjatë luftës, ai humbi gjithçka – katër fëmijët, bashkëshorten dhe të dy prindërit, të vrarë mizorisht. Megjithatë, kjo humbje nuk e theu shpirtin e tij, por përkundrazi, e bëri edhe më të vendosur që të kërkonte drejtësi për viktimat dhe të ndihmonte që zëri i tyre të mos shuhej kurrë”.
Duriqit iu vranë shtatë familjarë në masakrën ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu në Podujevë më 28 mars 1999. /Telenews.al/