Telenews

Viti 1999-të: Për shkak të Kosovës, Irlanda refuzoi të luante kundër Jugosllavisë

Më shumë se 27 vjet pas një prej episodeve më të veçanta në historinë e futbollit.

Irlanda zbarkon në Prishtinë për përballjen me Kosovën në UEFA Nations League.

Dy vendet përballen sonte në stadiumin “Fadil Vokrri”, në një ndeshje që nis në orën 20:45. Takimi është pjesë e Grupit B3 të Nations League dhe shënon përballjen e parë zyrtare mes Kosovës dhe Republikës së Irlandës.

Por për irlandezët, Kosova nuk është një emër krejt i panjohur në historinë e tyre. Në vitin 1999, gjatë luftës në Kosovë, qeveria e atëhershme e Irlandës ndërhyri për të mos lejuar zhvillimin e një ndeshjeje kualifikuese për Euro 2000 kundër Jugosllavisë.

Ndeshja ishte planifikuar të luhej më 5 qershor 1999 në Dublin. UEFA, megjithatë, refuzoi kërkesën e qeverisë irlandeze për shtyrjen ose anulimin e saj, duke argumentuar se nuk kishte bazë ligjore për ta bërë këtë.

Përballë këtij qëndrimi, qeveria e kryeministrit Bertie Ahern vendosi të mos i lëshojë vizat ekipit jugosllav. Ahern kishte paralajmëruar se, nëse UEFA nuk do të merrte një vendim, atëherë qeveria irlandeze do të vepronte vetë. Vendimi u lidh drejtpërdrejt me situatën e krijuar në Kosovë, transmeton Klankosova.tv.

Vendimi e vendosi Irlandën në përplasje me UEFA-n dhe solli edhe rrezikun e përjashtimit nga garat evropiane. Në fund, Federata Irlandeze e Futbollit u gjobit me 25 mijë funte dhe u detyrua të kompensojë shpenzimet e ekipit jugosllav.

Ndeshja u zhvillua rreth tre muaj më vonë, më 1 shtator 1999, në Lansdowne Road të Dublinit. Irlanda fitoi 2–1, me Robbie Keane që shënoi golin e parë, ndërsa Mark Kennedy realizoi golin e fitores.

Sonte, historia merr një tjetër kapitull. Këtë herë nuk bëhet fjalë për Jugosllavinë, por për Kosovën e pavarur, dhe sfida zhvillohet në Prishtinë.

Kosova dhe Irlanda do të përballen në “Fadil Vokrri” në orën 20:45, në hapje të fushatës së tyre në UEFA Nations League.Irlandezët tashmë kanë zhvilluar stërvitjen e fundit në stadium dhe pritet të zbresë në fushë me skuadrën e plotë.

Një ndeshje e sotme, një histori e nisur në vitin 1999 dhe një kontekst që e lidh futbollin irlandez me Kosovën në një mënyrë që shkon përtej 90 minutave në fushë.

Artikulli i The Guardian i datës 3 qershor të vitit 1999-të.

Të ngajshme

Shehu: Investimet strategjike në Kosovë e Shqipëri mund të tejkalojnë 10 miliardë dollarë

Yllka Gashi

Në sheshin e Podujevës vendosën flamujt e UÇK-së një ditë para protestës për Çlirimtarët

Yllka Gashi

LKE fton bashkatdhetarët t’i bashkohen protestave nëpër Evropë më 26 dhe 27 shtator: Jo në emrin tim

Yllka Gashi