Me procedurë të përshpejtuar, Kuvendi i Kosovës do të votojë edhe leximin e dytë të Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2025.
Kështu është vendosur në fund të seancës së Kuvendit të Kosovës (11 nëntor 2024) pasi që 59 deputetë miratuan në lexim të parë Ligjin për Buxhetin e Kosovës.
Ky mocion u propozua nga deputeti i Vetëvendosjes, Armend Muja, i cili si kryetari i komisionit për Buxhet e Financa, kërkoi që ndryshim-plotësimi i amendamenteve të bëhet deri më 13 nëntor, ndërsa seanca për votim në lexim të dytë të mbahet më 21 nëntor 2024. Ky mocion kaloi vetëm me votat e deputetëve të partisë Vetëvendosje.
Asnjë arsyetim zyrtar nuk u paraqitë nga Vetëvendosje për këtë mocion, por vie në një kohë kur radhët e Grupit Parlamentar po zvogëlon dita-ditës pas largimit të disa deputetëve dhe mundësitë janë të mëdha që Qeveria Kurti të humb qartësisht shumicën në Kuvend dhe që do të rrezikonte edhe mos-kalimin e Ligjit për Buxhetin.
Reagimet e opozitës
Pas votimit në parim të buxhetit 2025 dhe kërkesës së Vetëvendosjes që të shmangen afatet, ka reaguar shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi.
Ai i tha kryeministrit: “çka është urgjente, dil trego mos u çaravesh aty prej vendit se je kryeministër”.
“Nuk po e kuptoj pse kjo është urgjencë, brenda dy ditëve, po kërkohet që të dërgohen amendamentet, propozimet nga deputetët dhe brenda 10 ditëve të mbyllet i tërë procesi i miratimit në lexim të dytë projektligjit për ndarje buxhetore kur kohë ka deri me 22 dhjetor. Çka është urgjenca? Kryeministër mos u qesh trego cila është urgjenca se ti i ke thënë këtyre me bë urgjencë. Dil trego cila është urgjenca se buxheti vlen nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Dil trego mos u çaravesh aty prej vendit, se je kryeministër i vendit.
Për këtë ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili kërkoi nga Gashi të jetë i kujdesshëm me fjalorin.
“Janë fjalë që i ka thënë ky vetë (Albin Kurti) kur ka qenë në opozitë. Veç po ia përsëriti fjalët”.
Ndërkaq, Besnik Tahiri, shefi i GP të AAK-së, ka thënë se “kjo urgjencë për votimin e buxhetit po ndodh për shkak se partia në pushtet frikësohet se do t’i ikin deputetët dhe më nuk do ta ketë shumicën për votimin në lexim të dytë”.
Buxheti për vitin 2025 do të jetë 3.6 miliardë euro ose për 9 për qind më i lartë se buxheti i këtij viti.
Ndryshe, shqyrtimi i djeshëm ishte i pari në Kuvendin e Kosovës.
Projektbuxheti duhet të dalë edhe në shqyrtim të dytë, ndërsa në raste të caktuara del edhe në të tretin.
Ai duhet të miratohet më së largu deri në fund të këtij viti.

