Një ngjarje tragjike ndodhi më 12 shkurt në familjen Hamiti në Prishtinë. Familjari i tyre, Arsim Hamiti u ther për vdekje me thikë rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë. Fatkeqësisht 41-vjeçari nuk arriti të ju mbijetojë dhe u dërgua në Emergjencë pa shenja jete, ku u konfirmua vdekja e tij. Policia e Kosovës tashmë ka bërë të ditur se janë arrestuar dy persona të dyshuar lidhur me këtë rast.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy personat që u arrestuan si të dyshuar për këtë rast janë Atdhe Musliu dhe Labinot Bajrami, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, nën dyshimet se kanë kryer veprën penale “Vrasje”.
Musliu dhe Bajrami janë prangosur në hyrje të Vushtrrisë, ku Policia i ka kapur në flagrancë derisa po tentonin t’ia mbathnin, për t’iu shpëtuar arrestimit.
Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës njoftojnë se kanë paraqitur kërkesën për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dyshuar për vrasjen e 41-vjeçarit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve, për shkak të veprës penale “Vrasja”, pranë Gjykatës kompetente”, u shpreh Ulaj.
Sinjali ka raportuar mbrëmë me detaje lidhur me këtë ngjarje. Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:40, kur viktima u sulmua me thikë dhe pësoi lëndime të rënda trupore. Ai u gjet i shtrirë në tokë nga Policia dhe më pas u dërgua menjëherë në Emergjencë. Në spital vetëm u konstatua vdekja e tij, kurse trupi i pajetë u tërhoq për t’u dërguar në IML për obduksion.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

