Telenews

Vrau partneren me thikë në Zvicër, kosovari dënohet me 20 vjet burg

Një 46-vjeçar, shtetas i Kosovës me banim në Gjermani, është dënuar me 20 vjet burg nga Gjykata e Qarkut në Vevey të kantonit Vaud, pasi u shpall fajtor për vrasjen e partneres së tij në maj të vitit 2023.

Gjykata e ka miratuar kërkesën e prokurorisë për masën e dënimit, ndërsa ka urdhëruar që i dënuari t’i nënshtrohet edhe trajtimit spitalor. Pas përfundimit të dënimit, ai do të deportohet nga Zvicra.

Sipas mediave zvicerane, 46-vjeçari nuk ka shfaqur asnjë reagim gjatë leximit të vendimit, i cili iu përkthye në gjuhën shqipe.

Kryetari i trupit gjykues, Franz Moos, e cilësoi krimin si jashtëzakonisht të rëndë, duke theksuar “dhunën e paimagjinueshme” dhe fajin e madh të të akuzuarit, shkruan Albinfo.

Sipas gjykatës, i dënuari kishte shfaqur xhelozi dhe posesivitet, si dhe një dëshirë egoiste për të ruajtur kontrollin mbi viktimën, edhe me koston e jetës së saj. Kjo sjellje u konsiderua si karakteristikë tipike e femicidit.

I dënuari kishte qenë në një lidhje në distancë me viktimën 38-vjeçare që nga viti 2020. Dy ditë para krimit, ai kishte mbërritur në banesën e saj në Vevey.

Pas disa përplasjeve verbale, ai e kishte goditur disa herë me thikë, duke i shkaktuar plagë fatale. Gjykata e shpalli fajtor edhe për shkelje të Ligjit Federal për Armët, për shkak të përdorimit të një thike të ndaluar.

Të ngajshme

Shqipëria dhe Kosova po zbrazen: Dy ndër vendet me tkurrjen më të madhe të popullsisë në Evropë

Rrezarta Ramaj

Trafikuan 7 tonë kokainë në Belgjikë, kapët banda shqiptare e drogës, dënohen me burg deri në 6 vjet

Yllka Gashi

Mërgimtarët raportojnë kontrolle të shtuara në Serbi, apel për kujdes gjatë sezonit të pushimeve

Rrezarta Ramaj