Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy thotë se është gati për negociata me Presidentin rus Vladimir Putin, por paralajmëroi se dështimi për të arritur një marrëveshje do të thoshte: “se kjo është një Luftë e Tretë Botërore”.
“Unë mendoj se pa negociata, ne nuk mund t’i japim fund kësaj lufte”, tha ai për rrjetin televiziv CNN, në një intervistë të transmetuar të dielën.
Zelenskyy ka bërë thirrje për bisedime gjithëpërfshirëse për paqe me Moskën falë së cilave do të rivendosej siç tha ai integriteti territorial e do të sigurohej drejtësi për Ukrainën. Apeli i Zelenskyy për një raund tjetër bisedimesh erdhi një ditë pasi negociatori kryesor i Rusisë tha se palët janë afruar më pranë marrëveshjes lidhur me çështjen e heqjes dorë nga Ukraina prej qëllimit të saj për t’u anëtarësuar në NATO. Por negociatori ukrainas Mykhailo Podolyak shkruante në Twitter se pozicionet e Kievit janë të pandryshuara, duke përmendur kërkesën për armëpushim, tërheqje të trupave ushtarake ruse dhe garanci të forta sigurie, shoqëruar me një formulë konkrete.
Zelenskyy i tha CNN-it se forcat ruse hynë në Ukrainë: “për të na shfarosur, e vrarë”, por ai tha se Ukraina nuk do të hiqte dorë nga sovraniteti apo integriteti i saj.
“Rusët kanë vrarë fëmijët tanë. Nuk mund ta kthejmë pas atë që ka ndodhur. Nuk mund të kërkosh nga Ukraina të njohë disa territore si republika të pavarura. Këto kompromise janë thjesht të gabuara”, tha zoti Zelenskyy.
Moska i referohet veprimeve të saj në Ukrainë si një operacion special për të dobësuar aftësitë ushtarake të fqinjit të saj jugor dhe për të goditur ata që i quan nacionalistë të rrezikshëm. /VOA/