Zvicra do të dislokojë rreth 4.000 trupa brenda territorit të saj për ta përforcuar sigurinë, përderisa udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Francën fqinje për samitin e G7-ës këtë muaj, tha të enjten ushtria zvicerane.
Samiti që do të zhvillohet mes datave 15 e 17 qershor do të mbahet afër Liqenit të Gjenevës, në qytezën franceze, Evian-les-Bains, dhe do të bëjë bashkë udhëheqës nga ekonomitë e mëdha të botës, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, krahas delegacioneve të tjera të nivelit të lartë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Niveli i kësaj ngjarjeje dhe afërsia gjeografike me kufirin zviceran kërkojnë bashkërendim të afërt mes autoriteteve civile e ushtarake, tha njësia që i planifikon dhe i menaxhon Forcat e Armatosura Zvicerane. Priten edhe protesta.
“Afërsia me kufirin paraqet një sfidë të madhe për autoritetet e sigurisë në kantonet Vaud, Gjenevë dhe Valais. Si rezultat i kësaj, Këshilli Federal dhe Kuvendi kanë vendosur për një dislokim ndihmës sigurie të ushtrisë” – tha në një deklaratë Grupi i Mbrojtjes i ushtrisë zvicerane.
Më tej, aty thuhet se personeli ushtarak do të ngarkohet me detyrat e mbrojtjes së infrastrukturës kritike, përfshirë Aeroportin e Gjenevës, fuqizimin e vëzhgimit kufitar dhe vëzhgimin e rrugëve kyçe të transportit si dhe Liqenin e Gjenevës.
Edhe forcat ajrore zvicerane do ta shtojnë patrullimin ajror dhe do të ketë masa kufizuese në hapësirën ajrore mes datave 10 e 19 qershor. Në deklaratë thuhet se forcat ajrore do të ofrojnë sisteme kundër dronëve dhe mbrojtje kundër rreziqeve bërthamore, biologjike dhe kimike.

