Telenews

Bota regjistron marsin më të nxehtë në histori

Bota përjetoi marsin e saj më të ngrohtë në histori, ka thënë të martën Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i Bashkimit Evropian.

Në fakt, secili nga 10 muajt e fundit u rendit si më i nxehti ndonjëherë, krahasuar me muajt korrespondues të viteve të mëparshme, thuhet në buletinin e tij mujor.

Dymbëdhjetë muajt që përfunduan me marsin, u renditën gjithashtu si periudha më e nxehtë 12-mujore e regjistruar ndonjëherë në planet.

Nga prilli 2023 deri në mars 2024, temperatura mesatare globale ishte për 1.58 gradë Celsius mbi mesataren e temperaturës në periudhën paraindustriale, nga viti 1850 deri më 1900.

“Është trend afatgjatë me rekorde të jashtëzakonshme që na shqetëson shumë”, tha zëvendësdrejtoresha e Shërbimit të Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike e BE-së, Samantha Burgess, për agjencinë e lajmeve, Reuters, transmeton REL.

“Duke parë rekorde të tilla – muaj pas muaji – shohim vërtet se klima jonë po ndryshon me shpejtësi”, ka shtuar ajo.

Moti ekstrem dhe temperaturat e jashtëzakonshme bënë kërdi këtë vit.

Thatësira e nxitur nga ndryshimet klimatike në rajonin e pyjeve tropikale të Amazonës, shkaktoi një numër rekord zjarresh në Venezuelë nga janari deri në mars, ndërsa thatësira në Afrikën e Jugut shkatërroi të korra dhe bëri që miliona njerëz të përballen me urinë.

Shkaku kryesor i nxehtësisë së jashtëzakonshme ishin emetimet e gazrave serrë, të shkaktuara nga njerëzit, tha Shërbimi i Monitorimit të Ndryshimeve Klimatike i BE-së.

Faktorët e tjerë që i rritën temperaturat, përfshijnë El Ninon – fenomenin e motit që ngroh ujërat sipërfaqësore në Oqeanin Paqësor lindor.

source

Të ngajshme

Si të humbisni kilogramët e tepërt me një zakon të lehtë?

KushtrimGuraj

Pse frigoriferi ka dritë, ndërsa ngrirësi jo? Ja çfarë thonë ekspertët

KushtrimGuraj

Pse nuk duhet të keni frikë nga dielli, përfitimet dhe disavantazhet

Valjeta Turkaj