Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin për Demokraci të Kopenhagës teksa ka folur për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë e po ashtu për rëndësinë e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ka thënë se nga BE-ja s’janë duke pranuar asnjë rekomandim se çfarë duhet të bëjnë për t’u anëtarësuar në BE.
Sipas Osmanit, përmes kësaj qasje BE-ja është duke krijuar “një bllokadë”.
“Për kundër të gjithave, Bashkimi Evropian nuk i ka dhënë ndonjë mesazh popullit që ka ndonjë shpresë e po ashtu të na tregojë se çfarë të bëjmë. Pra, nuk po na tregon se çfarë duhet të bëjmë, përkundër kësaj ka një bllokadë, një mur – ndoshta për arsye puro politike, për çështje të brendshme politike të disa vendeve, por në anën tjetër kjo po rrezikon dhe paqen e po ashtu stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.
Ajo ka kërkuar nga NATO-ja dhe BE-ja që të bëjnë një “politikë të dyerve të hapura”, ndaj Kosovës.
“NATO-ja edhe BE-ja, të aplikojnë një politikë të dyerve të hapura për demokracitë e mirëvendosura si vendi im. Duke siguruar që asnjë rajon të mos mbetet i nënshtruar ndaj skemave keqdashëse të Putinit”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka pohuar se ndonëse Kosova ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE – aplikacioni i saj as s’është trajtuar.
“Kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por aplikimi as nuk është trajtuar akoma. Gjë që është mesazh shumë i vështirë për ta sqaruar sepse bashkë me disa vende të tjera në rajon, ne kemi 100 për qind përputhshmëri më të gjitha politikat e sigurisë së përbashkët dhe asaj të jashtme”.
E para e shtetit, ka potencuar se asnjëherë Kosova s’ka qenë shteti që ka sulmuar një vend tjetër.
“Në historinë tonë asnjëherë se kemi sulmuar ndonjë vend tjetër. Por, gjithmonë kemi qëndruar drejt ndaj forcave keqdashëse gjenocidale, sulmuese që kanë sulmuar popullin tonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë për aq sa është e nevojshme dhe arsyet janë të qarta – paqja është ajo që dërgon drejt demokracisë, e demokracia dërgon në prosperitet”.
Sipas saj, për Kosovën e ardhmja në familjen euroatlantike është vetë realiteti që do ta fortifikojë demokracinë dhe sigurinë e Kosovës.
“Duke i hapur dyert për këto aleanca, vendi ynë do të bëhet partner i palëkundur që asnjëherë nuk e merrë të mirëqenë demokracinë dhe lirinë dhe është e gatshme të paguaj secilin çmim për t’i mbrojtur këto vlera”.

