FIFA do të vendos përfundimisht për zhvillimin e ndeshjes Villarreal–Barcelona në Miami
Në orët e fundit janë shtuar zërat kundërshtues për planin që ndeshja mes Villarrealit dhe Barcelonës të luhet më 20 dhjetor në Miami – një vendim historik për futbollin spanjoll.
Procesi i miratimit ka nisur tashmë: kërkesa zyrtare është dorëzuar fillimisht në UEFA, por sipas rregulloreve, fjala e fundit i takon FIFA-s.
Sipas Nenit 63, Seksioni 4 të Statutit të FIFA-s, organi më i lartë i futbollit botëror mund të marrë vendimin përfundimtar për autorizimin ose anulimin e një ndeshjeje ndërkombëtare, pavarësisht procedurave të tjera. Me fjalë të tjera, Gianni Infantino dhe ekipi drejtues i FIFA-s do të përcaktojnë nëse kjo sfidë do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.
Ndeshja Villarreal–Barcelona klasifikohet si “ndeshje ndërkombëtare e nivelit të dytë”, çka do të thotë se klubet pjesëmarrëse duhet të kërkojnë fillimisht autorizim nga federatat e tyre kombëtare, më pas nga konfederata përkatëse, dhe në fund të marrin miratimin nga FIFA.
Deri tani, Villarreal, Barcelona dhe LaLiga kanë dhënë pëlqimin, ndërsa RFEF ka autorizuar kërkesën për t’ia kaluar UEFA-s brenda afateve të përcaktuara.
Nëse UEFA jep dritën jeshile, ajo do të njoftojë RFEF dhe FIFA-n. Më pas, FIFA – si autoriteti përfundimtar – do të vendosë nëse kjo ndeshje do të luhet jashtë Spanjës.
Vendimi i FIFA-s do të jetë përfundimtar dhe i detyrueshëm për të gjitha palët, përfshirë edhe CONCACAF-in, që do të njoftohet në rast miratimi.
Tani, sytë e të gjithë botës së futbollit janë të drejtuar nga zyra e Gianni Infantinos, ku do të merret vendimi final, me Real Madridin që po ashtu është ankuar që kjo ndeshje të mos zhvillohet në SHBA.