Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media, gjatë së cilës ka kërkuar nga ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe kryeministri Albin Kurti që të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në vend.
Kërkesa vjen pas aktgjykimit të shpallur më 16 shtator 2026 nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi Gjykues i shpalli të katër të akuzuarit përgjegjës penalisht për krime lufte, ndërsa aktgjykimi është i shkallës së parë.
Në konferencë, kryetari i kësaj qendre, Bardhyl Mahmuti, tha se vendimi i 16 shtatorit, sipas tij, paraqet një situatë të jashtëzakonshme dhe cenon, siç u shpreh ai, kushtetutshmërinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur’ ka vendosur të mbajë konferencën e parë, sepse konsiderojmë se jemi para një gjendjeje të jashtëzakonshme”, tha ai, raporton EO.
Mahmuti tha se vendimi i Dhomave të Specializuara, të cilat ai i përshkroi si institucione që “pretendojnë se janë të Kosovës”, sipas tij, “rrënon kushtetutshmërinë e Kosovës”.
“Duke cenuar rëndë arritjet kushtetuese, duke cenuar rëndë pavarësinë e Kosovës, duke hapur rrugë për të nxitur të gjitha përpjekjet luftënxitëse nga kjo pjesë e Ballkanit, mobilizimi i të gjitha anëve është një domosdoshmëri e kohës”, tha Mahmuti.
Ai bëri thirrje për tejkalimin e dallimeve politike dhe për një mobilizim të përbashkët, duke e lidhur këtë me, siç tha, nevojën për mbrojtjen e shtetit të Kosovës përballë rreziqeve.
Mahmuti tha se qendra ka përgatitur një memorandum, duke iu referuar nenit 131 të Kushtetutës së Kosovës, për të kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.
“Ne kemi bërë një memorandum që, në përputhje me kompetencat kushtetuese, neni 131 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që janë të provizuara se në çfarë rrethanash mund të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, tha ai.
Në memorandum thuhet se më 16 shtator 2026, Dhomat e Specializuara në Hagë, sipas autorëve të dokumentit, kanë nxjerrë një aktgjykim që “anashkaloi dispozitën themelore të Kushtetutës” për përcaktimin e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur, sovran, demokratik, unik dhe të pandashëm.
Qendra pretendon se përmes këtij veprimi është krijuar, sipas saj, “një precedent” që paraqet rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike.
Në këtë kuadër, memorandumi i drejtohet Albulena Haxhiut, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës, dhe kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar që, në konsultim me njëri-tjetrin dhe duke iu referuar nenit 131 të Kushtetutës, “TË SHPALLIN GJENDJEN E JASHTËZAKONSHME”.
Po ashtu, qendra u ka bërë thirrje drejtuesve të partive politike dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të gjejnë një konsensus për, siç thuhet në memorandum, “zhbërjen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm”.
Në arsyetimin e memorandumit, Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” i është referuar opinionit këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010 lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Në dokument thuhet se më 8 tetor 2008 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kishte kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shprehej nëse shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.
Memorandumi citon përfundimin e GJND-së të 22 korrikut 2010 se miratimi i deklaratës së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit apo Kornizën Kushtetuese të Kosovës.
Në pjesën tjetër të arsyetimit, qendra kundërshton interpretimet e paraqitura gjatë shqiptimit të aktgjykimit në Hagë lidhur me objektivat e udhëheqjes së UÇK-së.
Dhomat e Specializuara, në aktgjykimin e shpallur më 16 shtator, konstatuan përgjegjësi penale individuale të katër të akuzuarve për krimet e luftës të ndalimit arbitrar të 385 personave, trajtimit mizor të 49 personave, torturës ndaj 303 personave dhe vrasjes së 96 personave.
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” përsëriti kërkesën për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme dhe u bëri thirrje institucioneve dhe partive politike që të ndërmarrin veprime në përputhje me kërkesat e paraqitura në memorandum.

